Lojëra me Dore

Gjokoviç mund Zverev pas 5 setesh, në finale ndaj Medvedev dhe një hap larg rekordit

I pathyeshmi Novak Gjokoviç është vetëm një hap larg Grande Slam-it dhe rekordit absolut. Numri 1 në botë mundi në gjysmëfinale gjermanin Aleksander Zverev pas 5 setesh, 4-6, 6-2, 6-4, 4-6 dhe 6-2. Të dielën do të përballet në finalen e US Open me rusin Danil Medvedev. Në lojë për serbin nuk është vetëm titulli i 21-të Slam, por edhe kompletimi i një pokeri legjendar. Në rast të kundërt, rusi do të jetë fituesi i 151-të në historinë e turneut amerikan.

Ndeshja mezi pritej nga publiku, që duke ditur rëndësinë e saj, alternoi duartrokitjet e gjata me momente heshtjeje absolute, duke lejuar protagonistët të përqendrohen maksimalisht. Seti i pare i takoi gjermanit, që shfrytëzoi një dopio faull të serbit dhe e mbylli 6-4. Kjo ishte ndeshja e katërt radhazi që Gjokoviç e ka humbur setin e parë (kundër Nishikorit, Burkskit, Berretinit dhe Zverev).

Gjokoviç feston fitoren ndaj Zverez ne gjysmefinale. Gazeta Si, 11 shtator 2021

Nole vuajti edhe në gejmin e parë të setit të dytë, duke i dhënë dy topa “break” kundërshtarit, por arriti të shpëtonte dhe më pas hyri zyrtarisht në ndeshje, pas “black out”-it të parë të Zverev. Serbi e mbylli setin 6-2 dhe pas 73 minutash lojë ndeshja u barazua në 1-1. Duhet theksuar se ndeshja nuk ishte aq e bukur, Gjokoviç e kontrolloi mirë situatën pa bërë gjëra të mëdha.

Zverev e ndërlikoi ndeshjen e tij në setin e tretë, që mund të ndryshonte gjithçka. Gjermani nuk mundi të fitonte gejmin e 5-të me dy topa “break” në dispozicion. Dy gabimet e serbit nuk u shfrytëzuan nga Zverev, që pastaj humbi setin, duke gabuar në tri gjuajtje të drejta. Gjokoviç e mbylli setin me një “smash” për 6-4. Kur ndeshja ishte në ekuilibër, ishte gjithmonë serbi që dilte përpara. Në setin e 4-t Nole u duke sikur u çlodh për të rikuperuar të gjitha forcat për setin e 5-të.

Numri 1 në botë e nisi setin vendimtar me një gjuajtje-rrufe, ndërsa Zverev nuk arriti të gjente përmasat. “Break” i menjëhershëm, 3-0, Gjokoviç pastaj u shkëput në 5-1 dhe mund ta mbyllte ndeshjen me shërbimin në dispozicion, por e zgjati pak më shumë atë, për ta mbyllur setin 6-2.

Në moshën 34-vjeçare, Novak Gjokoviç do të luajë të dielën ndeshjen më të rëndësishme të karrierës ndaj numrit 2 në botë, Danil Medvedev. Finalja mund t’i dhurojë Grande Slam-in dhe rekordin absolut të turneve “major” të fituar. Do të beheshin 21, 1 më shumë se 20 që kanë fituar rivalët e tij legjendarë, Roxher Federer dhe Rafael Nadal. Fati duket se po flet serbisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë