“Novak Gjokoviç mund të lërë Australinë kur të dojë, ndërsa policia kufitare do të bëjë gjithçka për të përshpejtuar nisjen e tij”, – ka thënë së fundi ministrja e brendshme australiane, Karen Andrju, e cila ka konfirmuar hetimet edhe për dy individë të tjerë që kishin një visto të parregullt.
Përtej mundësisë konkrete për të mos marrë pjesë në “Australian Open” dhe për të humbur vendin e parë, “Nole”, – i cili u nis drejt Melburnit i sigurt me rekomandimin mjekësor që kishte, – tani rrezikon edhe më shumë. Sipas ligjit australian, shumë i rreptë, kush kapet me një visto të parregullt, nuk mund të hyjë në Australi për 3 vjet.

Për situatën e krijuar kanë reaguar fansat e tenistit jashtë “Park Hotel” të Melburnit, hotelit të refugjatëve ku qëndron Gjokoviç. Ka ndërhyrë policia dhe sipas mediave australiane ka pasur edhe të arrestuar. Kërkesa e Gjokoviçit për të shkuar në një vend tjetër, ku mund të stërvitet, është hedhur poshtë.
Një reagim në rrjetet sociale ka bërë edhe bashkëshortja e tenistit serb, Jelena, e cila shkruan: “Ju falënderoj të gjithëve ju që po shfaqni dashuri për bashkëshortin tim. Besoj se ligji i vetëm që të gjithë duhet të respektojnë është ai i dashurisë për njerëzit. Dashuria dhe falja nuk janë kurrë një gabim, por një forcë e madhe”.
Thank you dear people, all around the world for using your voice to send love to my husband. I am taking a deep breath to calm down and find gratitude (and understanding) in this moment for all that is happening. 🙏
— Jelena Djokovic (@jelenadjokovic) January 7, 2022
Edhe Nik Kirgios, zakonisht kundër Gjokoviçit, ka treguar solidaritet në këtë rast. “Jam absolutisht dakord për të luftuar Covid-in, unë dhe familja ime jemi vaksinuar, por gjykoj se sjellja e Australisaë ndaj “Noles” është shumë e keqe. Ai është një nga kampionët e mëdhenj dhe mbi të gjitha një njeri. Silluni më mirë!”
Në hotel Gjokoviçin e ka vizituar një prift dhe të dy bashkë kanë festuar Krishtlindjet ortodokse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




