Lojëra me Dore

Gjokoviç lavdëron Alkaraz: Sot është më i forti në botë!

Gazeta Si – Pas fitores në Madrid, Karlos Alkaraz është emri që mbajnë në gojë të gjithë në botën e tenisit. Edhe Novak Gjokoviç i bashkohet korit të atyre që flasin me superlativa për djaloshin e ri spanjoll.

“Është vërtet special, – ka deklaruar Gjokoviç në konferencë shtypi. – Alkaraz ka thyer disa rekorde si adoleshent. Ai ka fituar dy evente Master këtë vit dhe disa evente 500. Për momentin është lojtari më i fortë në botë, pa dyshim”.

Novak Gjokoviç. Gazeta Si, 10 maj 2022

Gjokoviç ndalet më tej në disa detaje, që e bëjnë Alkaraz të veçantë: “Mënyra si e ka përballuar presionion, edhe në ndeshjen tonë pak ditë më parë, është impresionuese. E meritonte ta fitonte trofeun.

Nuk ka preferuar të luajë në Romë, me shumë mundësi për të marrë veten pas disa muajsh shumë intensivë. Mendoj se Alkaraz ka marrë vendimin e duhur. Në ‘Roland Garros’ do të jetë pretendent serioz”, – ka shtuar tenisti serb.

Nuk kanë munguar as batutat për Slam-in e dytë të sezonit nga Gjokoviç: “Çdo javë ndihem më afër nivelit tim. Në Madrid luajta mirë, pavarësisht humbjes në gjysmëfinale ndaj Alkaraz. Ishte një ndeshje që zgjati gati tri orë e gjysmë.

Ditën tjetër ndihesha mirë dhe kjo ishte një përgjigje inkurajuese para Romës dhe objektivit tim kryesor, që është Parisi. Mendoj se jam në rrugën e duhur”.

Në turneun e Madridit, Karlos Alkaraz, fitoi duke eliminuar emrat më të mëdhenj, si Rafael Nadal, Novak Gjokoviç. Në finale ai mundi pa shumë vështirësi gjermanin Aleksandër Zverev. Specialistët e konsiderojnë si një nga lojtarët më premtues të tenisit.

Nga turneu i Romës spanjolli hoqi dorë në momentet e fundit, ndoshta duke ndjerë lodhjen. Qëllimi i tij është për t’u përgatitur sa më mirë për në Paris.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë