Gazeta Si – Numri 1 në botë, Novak Gjokoviç, jep gjykimin e tij në lidhje me vendimin e Uimbëlldonit për të mos pranuar tenistët rusë dhe bjellorusë në turne.
Lajmi për përjashtimin e tenistëve rusë dhe bjellorusë nga Uimbëlldoni, në fakt, ka ngjallur shumë diskutime. Gjokoviç, pas fitores ndaj Laslo Djere në Beograd, ka dhënë opinionin e tij, duke dalë kundër organizatorëve të turneut britanik. ‘Nole’ e di mirë çfarë është lufta dhe e njeh mirë Uimbëlldonin, ku ka triumfuar 6 herë.

Drejtuesit e turneut, sipas tenistit serb, kanë bërë një gabim, duke diskriminuar lojtarët me kombësi ruse dhe bjelloruse: “Do ta dënoj gjithmonë luftën, nuk do ta mbështes kurrë unë që jam një bir i luftës, – ka shkruar Gjokoviç në rrjetet sociale. – E di mirë traumën që lë pas, e dimë çfarë ndodhi në Serbi në 1999-ën.
Në historinë e viteve të fundit në Ballkan ka pasur shumë luftëra. Megjithatë, nuk mund ta mbështes vendimin e Uimbëlldonit, më duket një çmenduri. Kur politika ndërhyn në sport, rezultati nuk është asnjëherë i mirë”.
Një pozicion, që duket në linjë me qëndrimin e WTA-së dhe ATP-së. Me anë të një komunikate dy organet drejuese të tenisit botëror kanë shpjeguar pikëpamjen e tyre: “Diskriminimi i bazuar mbi kombësinë përbën një shkelje të rëndë të akordit tonë me Uimbëlldonin, që parashikon se çdo lojtar merr pjesë në turne mbi bazën ekskluzive të renditjes”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



