Gazeta Si – Novak Gjokoviç është gati për turneun e parë Slam të 2023-shit. Ai shpreson për një pritje të ngrohtë nga publiku në ‘Australian Open’, ku një vit më parë mungoi, sepse nuk u lejua të hynte në këtë vend nga autoritetet, ngaqë ishte i pavaksinuar. Ish-numri 1 e ka fituar 9 herë këtë turne.
“Pas asaj që ndodhi vitin e kaluar, shpresoj të më presin mirë, sepse kjo do të më ndihmojë të luaj tenisin tim më të mirë”, – ka thënë tenisti serb për gazetarët në Dubai. Aktualisht Gjokoviç është numri 5 në renditjen botërore.
Vitin e kaluar ‘Nole’ u bë çështje në Australi për shkak të vaksinës. Ishte një sagë e vërtetë politiko-gjyqësore, që mori përmasa të jashtëzakonshme mediatike. I pavaksinuar, Gjokoviç tentoi të hynte në Australi, por u dëbua pak para nisjes së turneut, pasi qëndroi disa ditë në një qendër për emigrantët Tani detyrimi për vaksinën është hequr në Australi dhe tenisti mund të shkojë lirisht.
“Në të kaluarën kam pasur mundësi ta nis mirë vitin në Australi, më pëlqen të luaj aty”, – ka shtuar Gjokoviç. Ai e nisi 2022-shin si numri 1 në botë, por humbi disa vende në renditje pikërisht ngaqë nuk mundi të merrte pjesë në turne Grand Slam, si ‘Australian Open’ dhe ‘Us Open’, sepse ka refuzuar të vaksinohet kundër Covid-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.