Lojëra me Dore

Gjokoviç fluturon në çerekfinale të Australian Open, tani radhën e ka Rublev

Gazeta Si – Ndeshje pa histori për tenistin serb kundër australianit de Minaur. Tani radhën e ka Rublev në çerekfinale. Shelton dhe Paul luajnë për një vend në gjysmëfinale.

Një Novak Gjokoviç i papërmbajtshëm ka fluturuar në çerekfinale të Australian Open. Ai mundi të zotin e shtëpisë Aleks de Minaur, duke i lënë atij vetëm 5 gejme: 6-2, 6-1 dhe 6-2 fitoi serbi, që tani ndeshet me rusin Rublev. Ky i fundit kaloi pas 5 setesh danezin Rune. Mes çerekfinaleve ka edhe një derbi amerikan, ai mes Tomi Paul dhe Ben Shelton.

Gjokoviç tregoi forcën, duke e mbyllur ndeshjen në pak më shumë se dy orë. Një paraqitje solide e ish-numrit 1, ndaj të cilit de Minaur u desh të dorëzohej pa kushte.

Është kompletuar edhe lista e çerekfinaleve të femrave, ku dy të fundit janë Pliskova-Linete dhe Sabalenka-Vekiç. Çekja mundi 6-0 dhe 6-4 Shuai Zhang në një ndeshje pa histori, sidomos në setin e parë. Tani do ndeshet me polaken që eliminoi numrin 4 në botë, Karolin Garsia.

Arina Sabalenka mundi Belinda Bençiç 7-5 dhe 6-2, duke përmbysur ‘break’ e disavantazhit 1-3. Më i lehtë seti i dytë për të. Në çerekfinale do të ndeshet me Dona Vekiç, e vetmja që kaloi pas 3 setesh, 6-2, 1-6 dhe 6-3, ndaj Linda Fruhvirtova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë