Lojëra me Dore

Gjokoviç bëhet legjendë, kalon Stefi Graf me 378 javë si numri 1 në botë

Gazeta Si – Shtatë vjet në krye të klasifikimit për tesnistin serb, që tashmë lë prapa edhe gjermanen e famshme. Është lojtari që ka qëndruar më gjatë në majë të renditjes në historinë e tenisit.

Tashmë e pathyeshmja Stefi Graf është thyer. Dukej e paimagjinueshme deri pak vite më parë që dikush t’u afrohej 377 javeve të saj të pabesueshme si numri 1 në botë. Do të duhej një tjetër ‘alien’, Novak Gjokoviç, për të thyer rekordin e saj. Nga sot, 27 shkurt 2023, serbi është kthyer në legjendë me qëndrimin e 378 javëve si numri 1 në botë, Atp apo Wta.

Novak Gjokoviç me nje trofe te fituar. Gazeta Si, 27 shkurt 2023

Shtatë vjet mbi të tjerët, numri 1 i numrave 1. Për atë që jeton me këto objektiva, për atë që ushqehet me këtë sport, ky rekord do të hedhë më shumë benzinë në sarbatorin e tij të pambarimtë. Nuk është rekordi i fundit. Gjokoviç synon tashmë atë të Slam-eve. Janë 22 deri tani, aq sa Rafael Nadal, por serbi do që të jetë i vetëm në krye edhe këtu, ndaj dhe objektivi i radhës është ky.

Shtatë herë ‘Nole’ e ka përfunduar sezonin si numri 1 në botë, më shumë se Federer dhe Sampras. Është më i vjetri në moshë që e ka bërë (34 vjeç e 7 muaj), dhe ka qenë në krye të klasifikimit për të paktën një javë në 12 vjet. Në turnetë Slam, në moshën 20 vjeç e 250 ditë, ka qenë tenisti më i ri që ka arritur në gjysmëfinale në secilin nga 4 turnetë.

Askush nuk ka luajtur më shumë finale Slam se ai, 33. Është lojtari që ka fituar më shumë ndeshje radhazi në ‘big four’, 30, dhe është i vetmi tenist në histori që ka arritur për 13 vjet radhazi çerekfinalet e Roland Garros. Askush nuk ka fituar më shumë tituj Slam në çimento (13). Po ashtu është i vetmi që ka fituar një Slam 7 herë (Australi 10, Uimbëlldon 7).

Gjokoviç mban rekordin absolut të fitoreve radhazi (31) në turnetë Masters 1000 dhe është lojtari me përqindjen më të mirë në histori të fitoreve në turnetë Masters Series/ATP Tour Masters 1000 në harkun e një viti, 96,875% (2011), me 31 ndeshje të fituara dhe vetëm 1 humbje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë