Novak Gjokoviç do ta mbyllë 2020-ën si numri 1 në botë në renditjen e ATP-së (Shoqata e Tenistëve Profesionistë). Garancia për tenistin serb vjen pas publikimit të tabelës së Open Sofia. Bëhet fjalë për sezonin e 6-të në karrierë që Gjokoviç e mbyll në krye të renditjes, duke barazuar kështu rekordin e një legjende të tenisit si Peter Sampras, amerikani që ka dominuar renditjen për 6 vite radhazi, nga 1993-shi në 1998-ën.
Përveç këtij viti, serbi e ka mbyllur i pari renditjen edhe në vitet 2011, 2012, 2014, 2015 dhe 2018. Rekordi i “Noles” merr edhe më shumë vlera, po të kemi parasysh faktin se bëhet fjalë për epokën e artë të tenisit në 15 vitet e fundit, ku veç tij janë edhe kampionë të mëdhenj, si Rafael Nadal, Roxher Federer dhe Andi Mërrei. Ata kanë dominuar pa ndërprerje tenisin që nga viti 2003, kur në majë ishte amerikani Andi Rodik.
“Kam parë gjithmonë Peterin kur isha fëmijë dhe të barazoj rekordin e tij është një ëndërr e bërë realitet”, – ka deklaruar Gjokoviç, i cili e ka kaluar Samprasin sa i takon klasifikimit për javët si numri 1. Të hënën nis java e 294-t për serbin, që tani synon të thyejë rekordin e Federerit. Tenisti zviceran ka qëndruar si numri 1 në botë për 310 javë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje