Që prej 1 qershorit, kur u prezantuan kandidatët për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, drejtuesit kryesorë të mazhorancës janë angazhuar në takime me qytetarët si pjesë e fushatës elektorale. Por, në to është folur pak ose aspak për programe apo projekte qeverisëse vendore.
Agjenda politike e ditës ka eklipsuar përpjekjen e Kryeministrit Edi Rama për ta paraqitur këtë fushatë si krejt normale, kur në pjesën më të madhe të bashkive kandidatët e propozuar prej tij nuk kanë rivalë përballë, por garojnë të vetëm.
Po për qytetarët, a është normale kjo fushatë? Deri më tani, Kryeministri Edi Rama është përballur me pasigurinë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore nga gazetarët dhe analistët. Por, në takimin e fundit me qytetarët, paraditen e kësaj të premteje në një nga lokalet e Njësisë numër 10 në Tiranë e njëjta pyetje iu përsërit sërish, këtë herë nga një qytetar.
“Për çfarë ma bëni këtë pyetje kot se nuk e kuptoj?! Si nuk do të bëjmë zgjedhje?! Si t’ia bëjmë, ça të bëjmë tjetër?!” u përgjigj Rama. Kryeministri iu rikthye çështjes së përgjimeve, ku akuzoi opozitën se po harxhon shumë energji për t’i nxirë imazhin vendit përmes artikujve, edhe të paguar në mediat ndërkombëtare.
I vetmi lajm që prodhoi takimi me qytetarët në vetvete ishte dalja publike e Fatmir Xhafajt, që në tryezë u ul në krah të Erion Veliajt dhe përballë Edi Ramës. Sa u takon projekteve për zhvillimet vendore, në këtë takim u fol shumë pak dhe pjesën tjetër e zuri diskutimi për aktualitetin politik, por edhe për tërmetet në Korçë, ku Rama propozoi ngritjen e një fondi si Parti Socialiste me paratë që do të shpenzoheshin për postera, që do t’i bashkangjitet një shume të dhënë nga buxheti i shtetit. Kryeministri premtoi se shtëpitë e banorëve të prekur do të rindërtohen.
Pra, megjithë përpjekjet e mazhorancës për të zhvilluar një fushatë elektorale normale, kriza politike i dikton asaj fjalimet. Kështu ndodhi me fjalën e Kryeministrit Edi Rama në Lezhë, në të njëjtën ditë kur opozita thërriste protestën e radhës kombëtare në Tiranë dhe me radhë u përsërit edhe në qytetet e tjera.
“Ata shkojnë jashtë dhe e bëjnë copë vendin. Turp më të madh nuk ka! Zgjedhjet nuk janë pa kundërshtarë, por me kundërshtarin e zgjedhjeve”, deklaronte Rama.
Megjithatë, atmosfera zgjedhore mungon dhe sa më shumë afrohet 30 qershori, aq më shumë përforcohet zotimi i Kryeministrit dhe i drejtuesve të tjerë të mazhorancës për t’i shkuar deri në fund këtij procesi.
I vetmi vend ku ndjehet atmosfera zgjedhore është në Facebook-un dhe rrjetet e tjera sociale të Kryeministrit Edi Rama, ku përmes ERTV-së transmeton takimet e tij. E nisi më 2 qershor në Lezhë, në krye të së cilës po mbyll mandatin një kryebashkiak i djathtë. Përveç premtimit përgjithësues se me Pjerin Ndreun, Lezha do të rilindë, ashtu si qytetet e tjera të vendit, pak u fol për projekte konkrete dhe gjatë u ndal tek përplasja me opozitën.
“Këtu në Lezhë vazhdon maratona e 30 qershorit në një betejë, që duket si një betejë pa kundërshtarë, por në fakt është një betejë më e qartë se thuajse kurdoherë tjetër, mes të shkuarës dhe të ardhmes. Ata kanë frikë nga ballafaqimi me ne, prandaj edhe përbetohen rrugëve se do të na imponojnë një përplasje antidemokratike, përveçse edhe të dënueshme nga ligjet e këtij vendi. Një gjë duhet ta themi çdo ditë dhe duhet ta dëgjojnë që të gjithë, ata që vendosën të ikin nga zgjedhjet nuk kanë në dorë asgjë tjetër veç ikjes së tyre në drejtim të paditur”, deklaroi Kryeministri Rama në fjalën para qytetarëve lezhjanë.
Thelbi i këtij fjalimi u përsërit më vonë edhe në Kurbin. “Është një betejë mes të ardhmes dhe të shkuarës me ata, të cilët patën mungesën e kurajos të na dalin përballë përfaqësojnë sot duke u përpjekur për të na tërhequr sërish mbrapa”, u shpreh Rama.
Në Mirditë, një bashki që drejtohet nga e majta, Rama kërkoi që të konfirmohet Ndrec Dedaj.
“Ndreca sot nuk ka një kundërshtar përballë, apo kundërshtarin që do të donim që të kishte, sepse ata që këtu duhet të vinin sot për të sjellë një kandidat, një program, për të sfiduar Ndrecën dhe Partinë Socialiste, janë rrugëve dhe kanë mbetur rrugëve dhe në vend se të vijnë para mirditorëve për të kërkuar votën, kërcënojnë të gjithë Shqipërinë që nuk do ta lënë të votojë”, u shpreh ai.
Kështu ndodhi edhe në Cërrik e Belsh të Elbasanit. Në të parën u kërkuar marrja e bashkisë, që aktualisht e ka LSI, ndërsa në të dytën rikonfirmimi i kryebashkiakut aktual. Këtu, Kryeministri u kthye dy vite pas në kohë, pikërisht në krizën parazgjedhore të 2017.
“I jam lut parvjet Bashës, si Romeo Zhuljetës. Jo për të, as për vete, por për t’i dhënë mundësi vendit që mos të kishte sherr dhe as shamata. Morën çfarë donin. Morën edhe burgun, se burgjet i donin, sepse nxirrnin njerëzit nga burgu me leje lindje, vetëm që të dilnin në fushatë. E bëmë për të mirën e Shqipërisë. Ata kanë sharë Shqipërinë për turp të tyre. Por sot nuk bëhet më kështu, sepse nuk mund të vazhdohet më të fitohet pa u zgjedhur”, tha Rama.
E përbashkëta është se në të gjitha këto bashki, përjashto Lezhën ku përballë Pjerin Ndreut është Eduard Ndocaj, kandidatët socialistë janë pa asnjë kundërshtar përballë. Risia tjetër e kësaj fushate, deri më tani është që simbolet dhe ngjyrat e partisë janë minimizuar, për t’i lënë vend flamurit kombëtar.
Kur Rama thotë se zgjedhjet nuk janë pa kundërshtarë, ka pjesërisht të drejtë. Përballë kanë Partinë Demokratike, LSI-në dhe aleatët e tyre. Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe drejtues të tjerë të opozitës zotohen nga ana tjetër se zgjedhje nuk do të ketë, të paktën jo më 30 qershor.
Basha thotë se 30 qershori ka rënë si politikisht, ashtu edhe teknikisht.
“Asnjë qeveri nuk i plotëson dot kushte për zgjedhje të lira e të ndershme më 30 qershor. Miliona karta identiteti janë te pavlefshme, regjistri i votuesve është i vjetëruar dhe shpesh i manipuluar. Ka edhe shumë detaje të tjera teknike që e pamundesojnë procesin. Edhe nga pikëpamja formale, data 30 qershor është i rrëzuar. Nga pikëpamja politike, absolutisht është i rrëzuar”, thotë ai.
Deri atëherë janë edhe tre javë përpara. Fizikisht është një periudhë e shkurtër, por politikisht ky trejavësh mund të sjellë zhvillime të mëdha, të cilat mund të përforcojnë mbajtjen e zgjedhjeve në datën e përcaktuar, ose shtyrjen e tyre.
Në këtë mes mund të hyjë edhe Presidenti Ilir Meta. Nard Ndoka, një prej aleatëve të Lulzim Bashës paralajmëroi se kreu i shtetit mund të shtyjë datën e zgjedhjeve. “Presidenti Meta është njeri që merr vendime të guximshme”, deklaroi ai. Por deri në 30 qershor do të ketë gjasme fushatë, protesta, histori me përgjime, lutje për dialog dhe zgjidhje të krizës, apo edhe ndërhyrje të ndërkombëtarëve para se të nisen me pushimet e verës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.