Ka ndodhur

Gjobëvënie nga portali me shkrime denigruese, në pranga punonjësja e AMP-së dhe gazetari. Shefi i sektorit, shantazh krerëve të policisë

Gazeta Si- Një punonjëse e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale të Durrësit dhe një gazetar janë arrestuar, pasi akuzohen se fshihen pas një portali të hapur me qëllim denigrimin e personave publikë me lajme të rreme nëse nuk do të paguhej gjoba.

Po ashtu, policia thotë se është shpallur në kërkim edhe 39-vjeçari Kushtrim Selimi, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili dyshohet se përmes portalit në fjalë, sulmonte dhe denigronte drejtuesit e lartë të policisë, me qëllimin për t'u emëruar drejtor.

Konkretisht, në pranga janë vënë efektivja e AMP-së, Regina Omeri, 34 vjeçe dhe gazetari Ervis Hasanaga, 35 vjeç.

Aksioni për kapjen e tyre u kodua “Antonimet” dhe u organizua nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Tiranë.

Gazetari Ervis Hasanaga dhe punonjësja e AMP-së, Regina Omeri

Shantazh dhe gjobëvënie

Në këtë portal këta persona publikonin lajme të rreme me qëllim dëmtimin e imazhit të personave të ndryshëm, kryesisht zyrtarë policie, ku qëllimi ishte përfitimi monetar për t’i fshirë më pas postimet.

Selimi, përmes portalit që kishte hapur me Regina Omerin (efektiven e AMP-sës) dhe Ervis Hasanagën (gazetari), kishin arritur të publikonin shkrime për drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.

Qëllimi ishte denigrimi i tyre në publik përmes lajmeve të rreme, pasi Kushtrim Selimi donte që përmes këtyre shkrimeve, përmes presionit, të emërohej drejtor.

Jo më kot, lajmet kishin shënjestruar drejtues të lartë të policisë, si Muhamet Rrumbullakun, Neritan Nallbati, Rebani Jaupi, Florjan Sulejmani etj.

Në celularët e të arrestuarve janë gjetur dhe mesazhe komunikimi me persona të tjerë me qëllim për t’i vendosur gjoba. Denoncimi është bërë nga disa persona dhe drejtues policie të prekur nga këto shkrime.

“Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti”, njoftoi policia.

Dëshmitë në polici

Gjatë dëshmisë së tij në polici, gazetari Ervis Hasanaga ka deklaruar se publikimin e lajmeve e bënte pasi ishte i punësuar në këtë portal dhe paguhej 600 euro në muaj. Sipas tij, lajmet ia dërgonte Regina Omeri dhe ai kishte rol vetëm publikimin e tyre në faqe.

Ai ka pranuar se ishte i vetëdijshëm për punën që po bënte, por i duheshin paratë. “Jam penduar për këtë punë. E kuptova që ishte e rrezikshme, por më duheshin paratë. Duhet të kisha dyshuar në materialet që më jepnin ata, para se t’i publikoja, duhet të kisha bërë një verifikim. Kisha kohe që s’më zinte gjumi nga kjo. Jam penduar”.

Ndërkohë, zyrtarja e AMP, Regina Omeri, ka deklaruar se lajmet ia niste Kushtrim Selimi dhe kjo e fundit ia dërgonte gazetarit për publikim. Ajo ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë përfitim monetar.

Zyrtarja e policisë ka shtuar se Selimi lajmet i publikonte, sepse kishte inate me drejtuesit e policisë dhe AMP-së. Gjithnjë sipas burimeve, dyshohet se Selimi dhe Omeri kishin lidhje intime me njëri-tjetrin..


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë