Treg

Gjobat nuk mjaftojnë për të zbutur punën informale në Shqipëri

Nga Megi Iskurti – Ekonomia informale ka krijuar terren në Shqipëri dhe pakkush ka mundur t’i rrëmbejë ndonjë copë që prej etapave të hershme të periudhës së tranzicionit të saj drejt ekonomisë së tregut.

Kjo ekonomi gri, e ngjizur në një marrëdhënie shkaku dhe pasojë, ngahera ka qenë burim për shumë “vdekje të heshtura” të shkaktuara nga aksidentet në punë pasi mekanizmat rregullatorë shpesh edhe aty ku ekzistojnë, shpërfillen.

Nëse me ardhjen e pandemisë shumë punëtorë informalë u detyruan të zvogëlonin shpenzimet dhe të hynin më thellë në borxhe, të tjerë veç  humbjes së kursimeve humbën edhe jetën…

Analiza Statistikore e Treguesve të Inspektimit nga Inspektoriati i Punës na tregon se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të 2020 në Shqipëri kanë ndodhur rreth 80 aksidente në punë 9 prej të cilëve kanë rezultuar me humbje jete, kryesisht në sektorin e ndërtimit.

Për 63% të subjekteve të inspektuara u morën masa administrative me gjobë për shkelje të legjislacionit të punës por asnjë gjobë nuk ktheu mbrapsht punëtorët dhe as nuk rregulloi tregun informal që siguron jetesën për një segment të madh popullsie.

Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik na tregojnë se perveç sektorit të ndërtimit, shumë punëtorë ndër vite kanë humbur jetën dhe kanë pësuar aksidente, sidomos në miniera.

Një rast të tillë i rrëfeu edhe Hajri Doda Gazetës “Si”, një minator i cili punonte në minierat e kromit të Bulqizës deri para dy viteve, kur një aksident në punë e shkëputi atë totalisht nga ajo.

Përmes rrëfimit të tij ai nuk përforcon vetëm simbiozën që ekziston mes Bulqizës dhe kromit por në mënyrë indirekte nxorri në pah edhe lidhjen e kobshme shumëvjeçare ndërmjet këtyre minierave dhe humbjes së dhjetëra jetëve.

“Ishte fund shkurt i 2019-s kur u zgjova herët për të shkuar në punë si çdo ditë tjetër e 10 viteve të fundit që punoja si minator. Mbaj mend se ishte mes jave dhe aty nga ora 12  kur sapo po bëheshim gati të hanim drekën sëbashku me një punëtor tjetër, rrëshqiti një masë dheu me disa gurë që më gjetën shumë të papërgatitur. Unë isha përkulur duke nxjerrë ushqimin nga çanta kur masa më kapi gjysmën e shpatullës dhe një pjesë të këmbës. U shkëput pa zhurmë dhe nuk munda që të bëja asnjë manovrim. Nëse do të kisha qenë më në qendër do të më kishte zënë përfund. Që nga ajo ditë pësova dëmtime në shpatull dhe tani krahun e lëviz me shumë vështirësi”, rrëfen ai për Gazetën “Si”.

Por askush nuk u kujtua as të mbulonte shpenzimet e tij të spitalit e as të siguronte ndonjë të ardhur për të.

Hajriu ishte një tjetër minator më shumë që u dëmtua në punë, duke u detyruar të hiqte totalisht dorë nga ajo e duke iu shtuar numrit të punëtorëve informalë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë dhe Shqipërinë, rezultojnë me nivelin më të lartë të ekonomisë informale në Europë. Sipas një studimi të publikuar nga Banka Botërore lidhur me tregun informal në rajonin e Ballkanit, rezulton se vendi ynë ka një nivel informaliteti mes 35-40% të PBB-së. Banka Botërore thekson se këto nivele janë dy herë më shumë se mesatarja e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

“Në Shqipëri informaliteti është më i përhapur në sektorin e tregtisë, shërbimeve dhe ndërtimit. Një shqetësim i kompanive që duan të punojnë në Shqipëri është niveli i lartë i mospagesës së taksave, sidomos sa i takon Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Pesha e taksave në raport me prodhimin kombëtar është shumë poshtë mesatares rajonale pikërisht për shkak të ekonomisë informale. Evazioni me TVSH-në në Shqipëri vlerësohet mes 30-40% të potencialit që mund të vilet nga kjo taksë”, vlerëson Banka Botërore.

Punonjësit që punojnë në informalitet jo vetëm që nuk kanë qasje në punë të sigurta por  janë të kufizuar në përfitimet dhe të mirat materiale që siguron puna. Ata janë të përjashtuar nga mbrojtja dhe përfitimi social si dhe nga përfaqësimi e mbrojtja sindikale.

“Me pandeminë erdhi edhe shërbimi delivery i cili në një vit i rriti akoma më shumë aksidentet e ndodhura në punë. Puna informale nuk ka asnjë indikator matës dhe eleminon çdo mundësi informimi dhe llogaridhënie të punëmarrësit në dobi të shëndetit e të sigurisë së tij në punë. Aktualisht dëmtimet për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë dhe shëndetit po shtohen ndjeshëm edhe në shërbimet tregtare, shërbimet sezonale, në fasoneri nga helmimet, në call-center nga qëndrimi i gjatë në kompjutera, ndriçimi dhe ajrimi i kufizuar”, tha për Gazetën “Si” Kol Nikollaj, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.

Marrëdhënia e punës së puntorëve informalë nuk është legale dhe e garantuar, por është krejt rastësore dhe e ekspozuar ndaj rrezikut të lartë për shëndetin e tyre. Ata nuk përfitojnë as nga kualifikimi e trajnimi në vazhdimësi për aftësim profesional dhe as nga forcimi i kapaciteteve për siguri e shëndet në punë. Informaliteti sjell gjithashtu stres të shtuar tek punëmarrësi, përjashtim të tij nga kontrolli dhe kujdesi shëndetësor si dhe e ekspozon ndjeshëm atë ndaj sëmundjeve profesionale, të cilat japin efekte të ngadalshme në kohë duke e rënduar pa kuptuar situatën shëndetësore të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë