Gazeta Si – GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK, për zgjatjen me tre muaj të hetimeve për ish-deputetin socalist Jurgis Çyrbja.
SPAK e ka bërë këtë kërkesë në seancën e së martës, për shkak se është në pritje të disa letër porosive të nisura agjencive partnere jashtë vendit.
Prokuroria e Posaçme ka kohë deri në muajin korrik të kryejë hetimet për Jurgis Çyrbjan, i cili mbahet në paraburgim që prej datës 20 tetor të vitit 2024.
Ish-deputeti i PS-së në qarkun e Durrësit, u arrestua me urdhër të SPAK, pasi akuzohet se gjatë ushtrimit të detyrës së tij, i ka ofruar favorizime të shumëkërkuarit të drejtësisë Altin Hajri. Ky i fundit në këmbim i siguronte vota për t’u zgjedhur deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Një tjetër akuzë ndaj Çyrbjes, është edhe nxjerrja e sekretit hetimor. Për këtë, ai akuzohet se ka bashkëpunuar me Ahmet Mashën. Ata kanë dekonspiruar të paktën 7 operacione të policisë për arrestimin e disa të kërkuarve.
Çyrbja i ka mohuar akuzat. “Nuk kam patur kurrë aplikacion “Sky ECC” dhe nuk jam unë ai që komunikoj me ata persona. Unë nuk kam përkrahur asnjë person në kërkim, as nuk kam strehuar ndonjë të tillë”, ka deklaruar ish-deputeti gjatë dëshmisë së tij në SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.