Gazeta Si – Është shtyrë për në 5 maj, thuajse një javë para zgjedhjeve parlamentare seanca paraprake për dosjen “Partizani”.
Shkak për këtë, sipas Genc Gjokutajt, avokatit të Sali Berishës, është bërë pasi ata kanë kërkuar përjashtimin për njëanshmëri të gjyqtares, Flojera Davidhi
Seanca e radhës u caktua për në datën 5 maj. Në këtë seancë do të përcaktohej nëse dosja Partizani do të kalonte ose për gjykim ose jo.

“Pas vendimit të gjyqtares paraprake në lidhje me papërdorshmëri, pavlefshmëritë e kërkimeve tona, ne unanimisht të gjitha subjektet e kësaj çështjeje, morëm një vendim për të kërkuar përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi për njëanshmëri të theksuar në vendimmarrjen e saj. Ato janë kërkime të qarta të bazuara në ligj dhe një kaos gjyqësor, i cili pa shpjeguar shkaqet e ligjshmërisë apo paligjshmërisë së kërkimeve tona mori një vendim të padrejtë. Sot ne depozituam në formë të shkruar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi dhe sipas procedurës seanca u ndërpre sepse gjyqtarja nuk mund të marrë vendim pa u shprehur një gjyqtar tjetër në lidhje me përjashtimin e saj”, tha avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj.
Seanca tjetër do të zhvillohet vetëm nëse gjyqtarja Davidhi do të vijojë të jetë gjyqtare e çështjes.
“Paraprakisht gjykata caktoi një datë duke konsideruar faktin për të mos u vonuar nëse do të rrëzohet kërkesa jonë, jemi të detyruar të vijojmë me gjyqtaren Davidhi. Është në datën 5 Maj në orën 11:30”, tha Gjokutaj
Më herët, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë një vendim të ndërmjetëm, duke rrëzuar të gjitha pretendimet e të akuzuarve.
Në seancën e të mërkurës, GJKKO rrëzoi kërkesën e avokatëve për pavlefshmëri dhe pa përdorshmëri të akteve të dosjes dhe pavlefshmëri të akteve të ekspertimit financiar, për të cilat mbrojtësit ligjor të të pandehurve pretendojnë se janë kryer nga ekspertë të pa licencuar.
Kryedemokrati akuzohet për “korrupsion pasiv” lidhur me çështjen e ish-klubit sportiv Partizani. Jamarbër Malltezi e Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion e pastrim parash ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Xhimi Begeja e Andia Pustina vetëm për pastrim parash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.