Drejtësia

Ilir Meta mbetet në burg, GJKKO rrëzon kërkesën për liri të ish-presidentit

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të mos e ndryshojë masën e sigurisë ndaj ish-presidentit Ilir Meta, duke e lënë në “arrest me burg“.

Seanca nisi në orën 10:00 dhe zgjati për më shumë se një orë dhe kërkesa e Metës për ndryshim të masës së sigurisë, u shqyrtua nga gjyqtari Erjon Çela.

Mësohet se për të shyqrtuar këtë kërkesë, gjyqtari Çela është kthyer nga pushimet, pasi më herët gjyqtari Erjon Bani shpalli moskompetencën.

Ishte Kujtim Cakrani, avokati i Metës, ai i cili kërkoi që çështja e masës së sigurisë të shqyrtohej nga gjyqtari që e ka ndjekur dosjen që prej fillimit, pra Erjon Çela.

Meta kërkon lirimin nga qelia ku qëndron që prej 21 tetorit të vitit 2024 me argumentin se tashmë hetimet janë përfunduar, është marrë i pandehur dhe nuk ka mundësi të ndërhyjë për prishjen e provave.

Po kështu, në kërkesën e tij për lehtësim të masës së Metës, avokati propozoi që ish-presidentit t’i bllokohet pasaporta në mënyrë që të mos ketë mundësi të dalë nga Shqipëria.

Kreu i Partisë së Lirisë është marrë i pandehur për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.

Së bashku me të janë marrë të pandehur edhe ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi, nëna e saj Fatime Kryemadhi dhe bashkëpunëtorët e tyre Pirro Xhixho e Ema Çoku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë