Gazeta Si – GJKKO ka shtyrë për më 22 dhjetor, ora 11:00, shqyrtimin e dosjes “Partizani”, ku mes të pandehurve janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe 6 persona të tjerë.
Seanca dështoi për shkak të mosplotësimit të trupit gjykues, për shkak se gjyqtarja Rudina Palloj mungonte për arsye shëndetësore.
Më 10 nëntor, GJKKO rrëzoi kërkesat paraprake të mbrojtjes së Berishës dhe Malltezit për pavlefshmërinë e akteve të administruara gjatë hetimeve.
Sipas vendimit të gjykatës, pretendimet e mbrojtjes u vlerësuan të pabazuara në ligj, duke theksuar se ndaj prokurores së çështjes, Irena Gjoka, nuk ekziston asnjë vendim që ndalon ushtrimin e detyrës së saj. Gjithashtu, caktimi i ekspertëve për dosjen është kryer sipas procedurave ligjore.
Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



