Gazeta Si – Ilir Meta ka qenë i pranishëm pasditen e kësaj të premteje në seancën e zhvilluar ndaj tij në GJKKO dhe ka kërkuar të njihet me fashikujt hetimorë të dosjes dhe t’i vendosen në dispozicion materialet, si i pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Seanca ndaj tij, ku pritet të mësohet nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim, është shtyrë për më datë 22 dhjetor 2025. Shkak për shtyrjen është bërë pikërisht kërkesa e Metës për t’u njohur me aktet.
Gjatë seancës, ish-presidenti u ankua, duke thënë se i janë shkelur të drejtat kushtetuese. “Po më shkelen të drejtat kushtetuese. Duke mos më dhënë aktet, duke mos më vendosur në dispozicion asnjë provë, nuk mund të bëj prapësimet. Po mbahem në paraburgim pa të drejtë sepse nuk kam asnjë mundësi reale të prish provat dhe të intimidoj dëshmitarët. Nuk kam asnjë mundësi reale të dëmtoj provat”, citohet të ketë thënë Meta në sallën e gjyqit.
Ndërsa, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, në deklaratë për mediat përpara SPAK, tha se kanë kërkuar që ditën e djeshme, të hiqet kafazi i hekurt ndaj presidentit të Partisë së Lirisë. Ai e akuzoi gjykatën se ka nuanca bolshevike.
Përveç kreut të PL-së dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, pjesë e dosjes së SPAK, mori pjesë në seancë edhe e pandehura tjetër, Ema Çoku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



