Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për lirimin nga qelia, i akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie bashkë me disa persona të tjerë.
Vetë Meta nuk mori pjesë në seancë, por u pëfaqësua nga avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili tha se SPAK dhe gjykata po zvarritin procesin gjyqësor.
“Nuk mund të mbahet Meta në paraburgim. Ai paraqitet në çdo seancë dhe shkaqet për zvarritje janë të gjykatës. Zvarritja e procesit gjyqësor duhet të shikohet nga prokuroria dhe gjykata. Besoj te gjykata, menduam që do nisej viti mbarë, duke dhënë një të drejtë ligjore të vijonte gjykimi në gjendje të lirë. Meta nuk i beson këto zëvëndësimet. Nuk kishte asnjë bazë ligjore se përse duhej rrëzuar kërkesa. Kemi bërë kallëzim penal ndaj drejtorit të burgjeve. Jemi në betejë dhe këtë betejë do e fitojmë”, – tha Cakrani.
Në fillim të muajit dhjetor, një inspektim i Avokatit të Popullit mbi kushtet e paraburgimit të Ilir Metës, pas ankesës së tij, evidentoi një sërë problematikash që lidhen me trajtimin e ish-presidentit në qeli. Sipas raportit zyrtar, Meta nuk po trajtohet në përputhje me standardet e parashikuara nga ligji.
Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje. Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.
Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




