Gazeta Si - Rreth një vit nga arrestimi i ish-kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dakos i është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar në Gjykatën e Posaçme, i akuzuar për "shpërdorim detyre" në dy raste.
Vendimi është marë këtë të premte nga Gjykata e Posaçme, e cila mësohet se ka pranuar kërkesën për Dakon dhe tre personat e tjerë të pandehur, të cilët kanë rënë dakord që çështjen ta zgjidhin përmes formulës juridike të gjykimit të shkurtuar.
Në këtë çështje penale së bashku me ish-zyrtarin e lartë socialist, është dhe biznesmeni Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi e Adrian Bulkun.
Ndërkohë për të pandehurit e tjerë që janë ekspertët, do vijojë procesi me gjykim të zakonshëm.
Ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste. Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.
Dako u arrestua në 6 qershor të vitit 2023 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe u lirua pas 9 muajsh paraburgim, konkretisht më 27 shkurt 2024 pasi skaduan afatet e paraburgimit dhe ndaj tij u caktua masa arrest shtëpie me mbikëqyrje policore 24 orë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.