Drejtësia

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun dhe i ndalon daljen jashtë vendit

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO), ka pezulluar nga detyra zv.kryeministren e vendit e njëkohësisht ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në kuadër të hetimeve ndaj saj për Tunelin e Llogarasë.

Po ashtu, numrit dy të qeverisë, i është caktuar edhe “ndalim i daljes së saj jashtë vendit”. Sipas burimeve, mësohet se vendimi është dhënë nga gjyqtari Erjon Çela, ndërsa masën e ka kërkuar prokurori i SPAK që po heton çështjen, Dritan Prençi.

Vendimi u dha pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila më 31 tetor 2025 i komunikoi Ballukut akuzën e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, një vepër penale e denoncuar nga opozita lidhur me procedurat e prokurimit të tunelit të Llogarasë.

Gjithashtu, janë caktuar 2 masa sigurie “arrest shtëpie” për 2 vartësit e saj, drejtorin e KESH-it, Erald Elezi dhe kreun e ARRSH, Gentian Gjyli në lidhje me hetimet për Tunelin e Llogarasë. Në kohën e kryerjes së veprës penale, ata kanë qenë anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave (KVO).

Ligji parashikon që seanca për komunikimin e masave të sigurisë, të zhvillohet brenda 5 ditëve, që nga shpallja e vendimit.

Një ditë më parë, 19 nëntor, nga foltorja e Kuvendit, Balluku theksoi se kurrë nuk do akuzojë apo kërcënojë organet e drejtësisë, pavarësisht nga hetimet që kanë nisur ndaj saj.

SPAK ka reaguar zyrtarisht për dy masat e sigurisë për Ballukun.

SPAK njoftoi se ka ekzekutuar masat e sigurimit personal ndaj Ballukut që janë pezullimi nga detyra i funksionit si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe “Ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Ndërsa për Gjylin dhe Elezin është vendosur arrest në shtëpi. Vendimi është marrë një ditë më parë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas kërkesës së SPAK e cila i akuzon për shkelje të barazisë në tendera.

SPAK njoftoi se çështjet në hetim janë ndërtimi i Tunelit të Llogarasë si dhe ndërtimi i lotit të 4 në Unazën e Madhe të Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë