Drejtësia

GJKKO nuk pranoi gjyqtarin Gerd Hoxha se takoi Veliajn? Kushtetuesja shtyn seancën dhe thërret si palë të tretë edhe KLGJ

Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese ka shtyrë seancën e padisë për gjyqtarin Gerd Hoxha, duke e kaluar për datën 23 prill, pasi vendosi të thërrasë si palë të tretë edhe Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Gerd Hoxha pretendon se u skualifikua dhe nuk u emërua gjyqtar në GJKKO vetëm për një foto rastësore me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj në një aktivitet të ambasadës britanike.

Ishte Gjykata Administrative ajo që e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Gerd Hoxha, pretendoi në Gjykatën Administrative, se u skualifikua nga gara, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që ka në përbërje dy prokurorë, një gjyqtar të posaçëm, një hetues të BKH dhe një hetues financiar, i dha vlerësim negativ.

Sipas tij, komisioni përdori një foto rastësore të tij me kryebashkiakun Veliaj në një event të ambasadës britanike në kryeqytet.

Gerd Hoxha e vlerëson si antikushtetues vendimmarrjen e komisionit që në përbërje ka hetues dhe që është filtri i fundit përpara se kandidatët të shqyrtohen nga KLP dhe KLGJ.

Por ajo që e bën të veçantë këtë çështje, nuk është shtrëngimi i duarve me kryebashkiakun e Tiranës, por debati kushtetues mbi këtë filtër, i cili sakaq mban pezull jo vetëm emrin e garuesit për gjyqtar antikorrupsion.

Dhe sidomos precedenti i përsëritur për të tretën herë radhazi mbi procesin e përzgjedhjes së emrave drejt SPAK dhe GJKKO.

E para ishte Sonila Muhametaj, e cila ëndërronte SPAK-un, megjithatë nuk u përzgjodh. Pasi hodhi akuza mbi këtë proces në Shqipëri, prokurorja i është drejtuar Strasburgut.

I dyti është prokurori Ndini Tavani, i cili po ashtu ka hapur betejën e tij duke lënë të kuptojë se nuk heq dorë nga SPAK, pavarësisht se u rrëzua nga vlerësimet e një komisioni të ngjashëm certifikuar më pas në KLP.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë