Drejtësia

GJKKO njeh ish-deputetin Plarent Ndreca si avokat të Veliajt. SPAK: Ka fyer prokurorin Ols Dado nga qelia!

Gazeta Si – GJKKO vendosi të legjitimojë ish-deputetin e PS-së, Plarent Ndreca si avokat të Erion Veliajt, pas kërkesës së këtij të fundit.

Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës nuk ishte sot në seancë, SPAK e kundërshtoi vendimin me argumentin se Ndreca është marrë në pyetje për këtë çështje si person në dijeni. Ish-deputeti socialist replikoi duke thënë se deklarimet në fazë paraprake, nuk përbëjnë provë.

Pasi trupi gjykues u tërhoq për vendim, legjitimoi Plarent Ndrecën si avokat të Erion Veliajt me argumentin se nuk ka asnjë pengesë ligjore.

Gjatë seancës, prokurori Ols Dado ka deklaruar se Veliaj e ka ofenduar para oficerit gjyqësor që ka shkuar për t’i dorëzuar aktet, duke thënë ndër të tjera se ai i ka shkatërruar familjes dhe se “dy abortet e fëmijëve të mi nuk ua fal”.

Po ashtu, pati debat për aksesin në aktet e dosjes. Avokati Ndreca kërkoi kohë dhe njohje të plotë me dokumentacionin, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për një proces të rregullt dhe për përgatitjen e mbrojtjes.

Nga ana tjetër, ish-kreu i SPAK, Altin Dumani, kundërshtoi pretendimet e mbrojtjes, duke sqaruar se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk kanë detyrim të njohin të pandehurit me aktet.

Në sallë kanë vijuar përplasjet mes dyshes së prokurorëve të SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dado, me palën mbrojtëse të Veliajt.

Prokurori i çështjes, Ols Dado lexoi në seancë edhe procesverbalin e mbajtur nga Oficerët e Policisë Gjyqësore të cilët u përballën me fyerje të Veliajt në paraburgimin e Durrësit.

Plarent Ndreca, avokat i Veliajt: Klienti im ka kerkuar që të njihet me aktet, sepse as unë nuk jam njohur. E vetmja kërkesë është që ne t’i marrim aktet me inventar, sepse nuk mund t’i marrim në atë mënyrë. Prokuroria ka detyrim që të bëj një ineventar dhe t’i marrë aktet ashtu siç duhet, jo me numra fashikujsh.

Gjykata: Aktet ndodhen në IEVP Durrës

Ndreca: Orientoni prokurorin apo OPGJ-në që të bëjnë një inventar të akteve në praninë time dhe të klientit tim, jo në atë mënyrë siç janë dhënë.

Ols Dado: Procesverbali e thotë qartë. Në zbatim të urdhrit kanë shkuar në IEVP Durrës dhe kanë kontaktuar me Erion Veliaj. Që në fillim, Erion Veliaj ka shfaqur sjellje kundërshtuese, edhe fyese ndaj hetuesve të BKH. Ka qenë reagim jo etik dhe fyes, duke refuzuar të marrë aktet. Në këto kushte është larguar dhe ka vënë në dijeni të gjithë zinxhirin në burg, që nga juristët e deri tek drejtuesit. Ata të gjithë së bashku kanë shkuar t’i sqarojnë Erion Veliajt arsyen. Është kundërshtuar dhe Veliaj i është drejtuar me fjalët “Gruaja ime abortoi dy herë. Më keni shkatërruar. Ols Dado ka 30 apartamente. Ky pis, abortin e dy fëmijëve të mi s’kam për ta falur”. Më pas, në një dhomë janë vendosur nga Samet Gurguri dhe juristët e IEVP dokumentet dhe aktet në paraburgim.

Në fund, treshja e gjyqtarëve, Ëngjëllushe Tahiri kryesuese, Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj, vendosën pezullimin e afateve të paraburgimit për 3 të pandehurit, Erion Veliajn, biznesmenin Elman Abule dhe policin e Burgjeve, Fatjon Baci.

Ndërkohë, seanca u shty pasi në sallë nuk u paraqit avokatja e biznesmenit Meriman Palushi. Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet ditën e mërkurë, më 1 prill, në orën 09:00. 

Prokuroria e Posaçme ka ngritur 13 akuza ndaj Erion Veliajt, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.

Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për fshehje të të ardhurave, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash. Kryebashkiaku i Tiranës prej 10 shkurtit 2025 ndodhet në paraburgimin e Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë