Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar një ditë pasi Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ndryshoi masën e sigurisë për 6 profesorë të Universitetit Bujqësor, nën hetim nga SPAK për korrupsion e abuzim me tendera, nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.
Rama shprehet se lehtësimi i masave nuk pengon, as nuk ndihmon drejtësinë për shkeljet e pretenduara.
Ai theksoi se këto masa sigurie kishin pasoja traumatike për jetën personale dhe familjare të individëve të pafajshëm sipas tij dhe tha se jeta universitare dhe reputacioni i institucioneve nuk duhet të preken. Megjithatë, ai tha se fajtorët e mundshëm nuk kanë asnjë shans të shpëtojnë.
Rama gjithashtu e vlerësoi si pozitive forcimin e partneritetit me Universitetin BOKU të Vjenës dhe theksoi se aleanca me këtë universitet nuk do të ketë pasoja nga situata mediatike e krijuar.
Ja pse jam i lehtësuar me lajmin e heqjes në Gjykatën Speciale të 20 masave të sigurisë (nga 24) në Universitetin Bujqësor:
— Edi Rama (@ediramaal) February 27, 2025
1. Drejtësia për shkeljet e pretenduara të tre viteve më parë, as nuk pengohet as nuk ndihmohet nga ato masa sigurie, ndërsa jeta personale e familjare e… pic.twitter.com/QF9CqfeSYa
“Duam luftë pa kompromis kundër korrupsionit, ndëshkim pa mëshirë për çdo dorë që hyn në xhepat e popullit, por po ashtu, nuk mund të bëjmë kompromise në mbrojtje të normave demokratike europiane të drejtësisë.
Pas 100 e kusur vitesh e kemi tërhequr pushtetin politik nga fusha e drejtësisë dhe ia kemi lënë drejtësisë të na hetojë e gjykojë edhe ne, si të gjithë të tjerët, nëse shkelim ligjin.
Shpatën e ndëshkimit ia kemi dorëzuar SPAK-ut. Peshoren e drejtësisë ia kemi besuar Gjykatës Speciale. Por fashon e pavarësisë e paanësisë prokurorët, e sidomos gjykatësit, duhet ta bëjnë pa humbur kohë pjesë të lëkurës së tyre profesionale, në respekt të prezumimit të pafajësisë, të lirive e të drejtave të njeriut, të standarteve demokratike të drejtësisë europiane.
Prandaj, shpatën ta mbajnë lart, e kanë gjithë mbështetjen tonë. Peshorja është e tyrja, nuk ndërhyjmë në brendinë e çështjeve. Por sa herë do t’ua shohim sytë të pambuluar e deri edhe me gjak, nuk do të ngurrojmë ta themi publikisht.
Drejtësia e re e Shqipërisë 2030 në BE duhet të jetë si kjo statujë e Zonjës së Drejtësisë. Për të gjithë. Gjithnjë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




