Drejtësia

GJKKO lë në qeli ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu, doli në përgjimet e grupit të Suel Çelës

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-gjyqytares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, për lirim nga qelia, pasi akuzohet nga SPAK për lidhjet e saj me organizatën kriminale të Suel Çelës.

Ajo kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë për arsye shëndetësore dhe për verifikimin e pretendimeve të saj, gjykata caktoi dy ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilë do të përcaktonin nëse qëndrimi në qeli i rrezikonte jetën.

Fetahu u izolua në qeli pas dyshimeve për “korrupsion” dhe favorizim të anëtarëve të një organizate kriminale të drejtuar nga Suel Çela.

Në përgjimet e siguruara nga SPAK, rezultonte se Fetahu dhe vajza e saj mbanin lidhje me grupin kriminal të Suel Çelës, të cilëve u kishin bërë edhe favore në këmbim të parave e dhuratave.

Masa “arrest në burg” ndaj saj u dha në një kohë që ish-gjyqtarja vuante një masë tjetër “arrest në shtëpi” për llogari të hetimit të SPAK ndaj vëllezërve Çopja. 

Ish-gjyqtarja, u arrestua në korrik të vitit të kaluar”, por më pas ndaj saj u vendos masa “arrest në shtëpi”. Emri i saj doli sërish më pas në operacionin e SPAK “Plumbi i Artë 2” për grupet kriminale, ku u lëshuan mbi 30 urdhër-arreste.

Pajtime Fetahu dyshohet se mund të ketë lidhje me historitë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, drejtues të një organizate kriminale ndëkombëtare me bazë në Belgjikë. Sipas njoftimit të SPAK, punonjësja e gjykatës u ka dhënë vëllezërve informacione sekrete.

Ish-gjyqtarja, sipas SPAK, dyshohet se mori 11 mijë euro, një monedhë floriri dhe priste edhe një aparat celular nga anëtarë të grupit kriminal “Çopja”.

Ajo akuzohet për korrupsion, ndërsa dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm pak ditë para kur duhej t’i nënshtrohej procesit të Vettingut.

Fetahu njihej nga grupi i vëllezërve Franc e Hajdar Çopja si “Komshija”, ndërsa u kontaktua për të dëmtuar Erion Alibejn, duke favorizuar anëtarët e grupit rival të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë