Drejtësia

GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë ndaj grupit të Suel Çelës, ndryshon vetëm për avokaten

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi 20 prej 21 masave të sigurisë të caktuara ndaj grupit të Suel Çelës. të akuzuar për trafik droge, tentativë vrasjeje, grup të struktuar kriminal, pastrim parash, korrupsion aktiv i gjyqtarit, armëmbajtje pa leje, sigurimi i mjeteve dhe kushteve për vrasje.

Masa u lehtësua vetëm për avokaten Blerina Beqiri, nga "arrest në shtëpi" në "detyrim për paraqitje".

Përmes një njoftimi zyrtar, Struktura e Posaçme bëri me dije se për të kontrolluar territorin, organizata e angazhuar në trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Europë, synonte eliminimin fizik të anëtarëve të një grupi kriminal rival në Elbasan.

Gjithë aktiviteti financohej nga paratë e trafikut të drogës. Referuar hetimit të bazuar në komunikimet e koduara SKY ECC dhe veprime të tjera hetimore, SPAK bën përgjegjës anëtarët e këtij grupi për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Ardian Çapjes, qershorin e vitit 2020.

Çapja u qëllua me snajper në distancë në oborrin e banesës së tij. Organizata kriminale dyshohet se ka siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e Bledar Muçës dhe Elton Kilës në dy ngjarje të veçuara në vitin 2020.

Në fushën e trafikut të drogës, SPAK i e akuzon organizatën për tentativën e trafikimit të gati 930 kg kokainë nga Ekuadori në Europë në dhjetor 2020 dhe atë të 466 kg kokainë në janar 2021.

Përveç drejtuesit, Suel Çela, në role kyçe në organizimin kriminal SPAK veçon Mario Çelën, Bujar Shegën, Klaus Matishin dhe Xhino Rokën.

Sipas SPAK, organizata kishte mundur të korruptonte funksionarin e Policisë, Dedan Gjoni dhe gjyqtaren Pajtime Fetahu, që i furnizonin me informacione, si edhe ju ofronin lehtësira.

Përmes ndikimit në gjyqësor, organizata lehtësonte pozitat penale të anëtarëve të saj në përballjet me drejtësinë, si edhe rëndonte pozitat e anëtarëve të grupit kundërshtar.

Në njoftimin zyrtar, SPAK thekson se Suel Çela ka synuar të manipulojë opinionin publik duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve me politikën, duke rritur pozitat e tij dhe dëmtuar rivalët.

Dyshohet, thotë SPAK, se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë