Drejtësia

GJKKO lë në burg Erion Veliajn, SPAK paraqet provat e reja. Më 8 korrik, rekursi në Gjykatën e Lartë

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliajn.

Avokatët kërkuan ndryshimin e masës në seancën që u zhvillua sot në lidhje me informacionin dymujor të hetimeve mbi çështjen ndaj tij. Mbrojtja ofroi edhe garanci pasurore, por kërkesa nuk u pranua.

Sot ishte prokurori i dosjes, Olsi Dado, i cili i shpjegoi gjykatës se cilat janë veprimet e reja hetimore që ka kryer organi i akuzës gjatë kësaj periudhe kohore.

Mes tyre, ai ka renditur si provë të re apartamentin për të cilin po ashtu u la në fuqi këtë të martë sekuestrimi nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Sipas burimeve, SPAK raportoi se deri më tani janë kryer 82 veprime hetimore dhe nuk ekzistojnë kushtet për ndryshim të masës së sigurisë.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka caktuar datën 8 korrik, ora 12:00, për shqyrtimin e rekursit të Erion Veliajt për masën e sigurisë. Relatore është caktuar gjyqtarja Albana Boksi. Dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues do jenë Medi Bici dhe Sokol Binaj.

Rekursi do të shqyrtohet në dhomë këshillimi pa praninë e palëve. Sipas njoftimit të Gjykatës së Lartë, kjo çështje i është nënshtruar gjykimit me procedurë të përshpejtuar, duke hyrë në kategorinë e çështjeve me prioritet. Përveç Veliajt, në Gjykatën e Lartë rekurs ka paraqitur edhe Elman Abule dhe Shkëlqim Fusha.

Gjithashtu këtë të martë GJKKO rrëzoi kërkesën e biznesmenit Gentian Sula të kompanisë “Agi Kons” për heqjen e sekuestros së një apartamenti në kompleksin “Kodra e Diellit”, që SPAK dyshon se përdorej nga Veliaj.

Në sallë mungoi kryebashkiaku i Tiranës, i cili përfaqësohej nga avokatët e tij. I pranishëm në sallë ishte edhe biznesmeni Elman Abule, i cili u la në “arrest shtëpie”.

Kryetari i bashkisë po hetohet për dyshime mbi konsumimin e veprës penale të korrupsionit pasiv në të paktën 9 raste, ndërsa së fundmi atij iu shtua edhe akuza për fshehje pasurie.

Ai u prangos më 10 shkurt me urdhër gjykate, ndërsa ka kundërshtuar disa herë publikisht akuzat. Pas komunikimit të masës, Veliaj mbahet në ambientet e paraburgimit të Durrësit.

Pjesë e dosjes së korrupsionit është edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa bashkë me biznesmenët e tjerë si: Gentian Sulaj, Meriam Palushi dhe Fatmir Bektashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë