Drejtësia

GJKKO kalon për gjykim Laert Haxhiun dhe anëtarët e tjerë të grupit

Gazeta Si – Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kaloi për gjykim çështjen ndaj Laert Haxhiut dhe anëtarëve të tjerë të grupit, Kristi Bixheku dhe të penduarin e drejtësisë, Artan Tafani, të akuzuar për disa ngjarje të rënda kriminale.

Ndërkohë Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm për organizimin e asaj që njihet si “Masakra e Lushnjës”, ngjarje e ndodhur në 2017-ën, ku u vranë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Ata akuzohen për vrasje, shkatërrim prone me eksploziv dhe një sërë veprash të tjera të rënda penale, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Vala e arrestimeve në kuadër të këtij grupi kriminal erdhi pas ‘zbërthimit’ të të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani para hetuesve, ku u zbardhën një sërë ngjarjesh të rënda kriminale.

SPAK thotë se Haxhiu, në rolin e drejtuesit të grupit, është pjesëmarrës dhe porositës i tre vrasjeve: Ekzekutimit të Çajup Selimit në Tepelenë, Fridman Xhaferrajt në Korçë dhe Alban Semakut në Peqin.

Po ashtu, prokuroria tha se ai ka marrë pjesë në tentativën për vrasjen e shtetasit Kujtim Meta. Hetimet e kryera dhe dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, zbardhën gjithashtu edhe katër raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, vjedhje me dhunë e sigurim kushtesh për vrasje.

Grupi rezulton se ka pasur të shtrirë aktivitetin nga viti 2021 deri në 2023, kohë kur Laert Haxhiu u arrestua në Greqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë