Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim çështjen në ngarkim të Evis Berberit, ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash.
Beberi kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, por gjyqtari i seancës parparake tha se për këtë do vendosë trupa e themelit.
Avokati mbrojtës i Berberit pretendoi se nuk provohen akuzat dhe e la në vlerësim të gjykatës në rast se hetimet janë apo jo të plota si dhe për pranimin e kërkesës së tij për gjykim të shkurtuar.
SPAK e akuzon Berberin për korrupsion dhe pastrim parash ndërsa dy ortakët e tij, biznesmenët Valter Begaj dhe Ervis Lami akuzohen për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
Të tre u arrestuan mbrëmjen e 13 marsit 2024. Sipas prokurorëve të posaçëm, Evis Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe në krye të Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë 6 tenderë kompanisë së ortakut të tij, Valter Begaj “NET – GROUP”, sh.p.k.
Kjo e fundit përmes transaksioneve paratë i kalonte kompanisë ‘DAAM” që Berberi zotëronte dhe kontrollonte në mënyrë indirekte.
SPAK thotë se përfitimi i Berberit ka qenë një shumë gati 2.2 milionë euro të cilat përmes kompanisë ‘DAAM’ shpk. janë investuar në pasuri të paluajtshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



