Gazeta Si – Një vit pas arrestimit në zyrën e tij nga BKH, Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut Erion Veliaj, i akuzuar nga SPAK për disa vepra penale.
Pjesë e të njëjtës dosje, janë edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si edhe 28 persona të tjerë, përfaqësues të shoqërive, të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Vendimi u mor sot nga gjyqtarja Etleva Deda, ndërsa vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë, por kishte dërguar vetëm avokaten e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku.
Avokatët e të pandehurve të tjerë, mësohet se kanë bojkotuar seancën e sotme, pasi pretendojnë për shkelje të rënda të procesit ligjor gjatë seancave paraprake.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025. Ndaj tij, SPAK ka renditur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani, për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.
Më herët, mbrojtja ka pretenduar se janë 60 mijë faqe që duhen analizuar. Nuk kanë munguar përplasjet mes palëve në sallën e gjyqit, aq sa kryebashkiaku depozitoi një kërkesë zyrtare pranë GJKKO-së për përjashtimin e gjyqtares Deda nga çështja penale ndaj tij. Mirëpo, kërkesa e tij u rrëzua me argumentin se “nuk ka shkak të ligjshëm”.
Po ashtu, Veliaj ka pretenduar se i ishte mohuar e drejta për një mbrojtje efektive, në kundërshtim me parimet themelore të procesit të rregullt ligjor.
Sipas mbrojtjes së tij, edhe vetë avokatja e caktuar nga gjykata, nuk ka pasur mundësi reale për t’u njohur me materialet hetimore, as për të komunikuar me klientin e saj në mënyrë të plotë.
Vetë Veliaj, ka bërë kërkesë vazhdimisht që të njihet me provat dhe faktet përmes një laptopi në ambientet e paraburgimit në Durrës, për pesë veprat penale që i atribuohen.
Në 1 shkurt të këtij viti, GJKKO rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e dy prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Olsi Dado, se masa duhet të vazhdojë pasi provat mund të manipulohen.
Çështja e masës së sigurisë ndaj Veliajt është duke u shqyrtuar ndërkohë edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila më 3 nëntor vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrë, pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



