Gazeta Si – Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK dhe kaloi për gjykim dosjen “Toyota Aris” ndaj ish-prokurorit të Vlorës Aurel Zarka, i marrë i pandehur për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit, ndërsa emri i tij doli pas zbërthimeve të aplikacionit “SKY Enchro Chat”.
Gjykata gjithashtu veçoi dosjen për tre personat e tjerë, mes të cilëve ish-oficeria e BKH, Erjona Daupaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi për shkak se janë në arrati.
LEXO EDHE:
– Arrestimi i kryeprokurorit të Vlorës, SPAK: Aurel Zarka merrte ryshfet për të ndikuar te gjyqtarët e prokurorët. Ndërhyri edhe te hetimi pasuror i Suel Çelës
– Përgjimet nga Belgjika për 3.4 milionë eurot në dosjen ‘Toyota Auris’ zbuluan kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka
Hetimi, i cili pati bazë komunikimet në aplikacionin e koduar SKY që rezultoi të ishte përdorur gjerësisht nga krimi i organizuar, tregoi se si zyrtarë të drejtësisë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe duke e përdorur si mjet komunikimi, kishin ndërhyrë për zgjidhjen e disa çështjeve hetimore në favor të personave që po hetoheshin.
Konkretisht, në një njoftim zyrtar, SPAK sqaron se këta persona kanë ndërhyrë dhe janë korruptuar në zbutjen e rrethanave penale për personat e arrestuar për futjen në Shqipëri të 3.4 milionë eurove në disa makina “Toyota Auris” në 2018.
Në ekzekutimin e disa letërporosive të dërguara nga autoritetet belge të drejtësisë po për këtë çështje. Po kështu, sipas SPAK, ata kanë ndërhyrë edhe në mbylljen e një hetimi pasuror të SPAK në vitin 2020 për Suel Çelën, aktualisht i shpallur në kërkim si kreu i një organizate kriminale.
Një tjetër ndërhyrje është ai për një hetim për vjedhje në Prokurorinë e Tiranës dhe mbylljen e dy çështjeve në Prokurorinë e Vlorës, njëra prej tyre për kultivim të kanabisit.
SPAK gjithashtu bëri të ditur se është duke vijuar hetimet për këtë dosje në një procedim të ndarë më vetë për zyrtarët e tjerë të drejtësisë që përmenden në komunikime si dhe për akuza të tjera penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



