Gazeta Si – Për të dytën herë, GJKKO kthen në SPAK për plotësim të hetimeve dosjen ndaj ish-deputetit demokrat, Asllan Dogjani.
Pas 3 muajsh kohë të dhëna herën e parë, këtë të hënë, Gjykata e Posaçme i ka dhënë edhe 1 muaj kohë për disa veprime hetimore.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Dogjani mohoi çdo përfshirje në korrupsion dhe e cilësoi të gjithë procesin si të dirigjuar politikisht.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për kapjen e institucioneve dhe sistemit të drejtësisë, duke thënë se çështja ndaj tij është e fabrikuar për shkak të qëndrimeve të tij politike.
“Pavarësisht se nuk do të jem në Parlament jam deputet i popullit dhe atyre njerëzve që më kanë votuar, do të bëj gjithçka për ta. Edi Rama ka kapur gjithçka, ka kontrolluar gjithçka. Ka kapur edhe sistemin e drejtësisë. Sot është bërë një seancë normale, erdhi organi i akuzës për veprimet që i kishte lënë Gjykata. Gjykata i tha do kryesh edhe detyra të tjera e do vish pas 1 muaji. Kjo çështje është dirigjuar nga Edi Rama. Nuk jam këtu se kam bërë korrupsion, por se po fole kur është Edi Rama në pushtet është krim. Por unë nuk dorëzohem”, u shpreh Dogjani.
Prokuroria e Posaçme mori të pandehur deputetin demokrat Asllan Dogjani, të cilin e akuzon se ka fshehur pagesën e mbi 120 mijë eurove për blerjen e një apartamenti.
Me anë të një komunikimi zyrtar, SPAK thotë se Dogjani nëpërmjet dy kontratave të dubluara fshehu nëpërmjet deklarimit të rremë mënyrën e përfitimit të apartamentit në Tiranë, në rrugën “Hamid Shijaku”. Të dyja deklaratat për mbanin të njëjtin numër protokolli, por kushte të ndryshme të përfitimit të pasurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.