Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ankimuar në Apelin e GJKKO vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë, e cila rrëzoi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë me argumentin se pozita e tij është rënduar me marrjen zyrtarisht të pandehur dhe se ekziston rreziku se ai mund të prishë provat dhe intimidojë dëshmitarët.
Në kërkesën e depozituar nga mbrojtja e ish-presidentit thuhet se rreziku i prishjes së provave është një alibi sesa një arsyetim korrekt, duke thënë se me mbylljen e hetimeve ‘helmimi i provave’ është i pamundur.
Ndërsa argumentin se mund të intimidojë dëshmitarët, Meta e konsideron si një lajthitje, sepse sipas tij, ‘dëshmitarët i kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe ato janë të pasqyruara në vendimin e përfundimit të hetimeve’.
Në fillim të gushtit, SPAK i komunikoi zyrtarisht Ilir Metës dhe të pandehurve të tjerë mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes drejt gjykimit. Ish-presidenti së bashku me ish bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



