Kryetari i bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla reagoi lidhur me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila e shpalli fajtor për akuzën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe e dënoi me 1 vit burg si dhe e ndaloi të ushtrojë funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Në një reagim në rrjetet sociale, Memolla tha se e mbështet drejtësinë e re, por do të vijojë të mbajë postin e kryetarit të bashkisë së Rrogozhinës deri në një vendim të formës së prerë, pasi është plotësisht i vetëdijshëm për peshën dhe dimensionin e detyrës së tij.
“Që kur më është besuar detyra e përfaqësuesit të popullit tim, kam qenë plotësisht i vetëdijshëm për peshën që ky post do të sillte në çdo dimension të tij. Drejtësinë e Re e kam mbështetur fuqimisht dhe gjithmonë do të respektoj çdo vendim të ligjshëm. Megjithatë, kjo nuk më pengon të apeloj çdo vendim që nuk mbështetet në prova dhe fakte të forta”, u shpreh ai.
Memolla tha se “deri në një vendim të formës së prerë, mbetet kryetar i bashkisë Rrogozhinë, i angazhuar dhe i vetëdijshëm për përgjegjësitë që ky post sjell”.
“Së fundmi, dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që kanë qenë pranë meje, që më kanë njohur dhe mbështetur si njeri, që kanë besuar në pafajësinë time dhe që nuk më kanë kthyer shpinën, edhe kur situata ka qenë e vështirë”, shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.