Drejtësia

GJKKO dënon me 4 vite burg djalin e anëtarit të ISIS, i dërgoi të atit 800 euro në Siri

Gazeta Si – GJKKO ka dënuar me 4 vite burg Muhamet Manollarin, pasi financoi babanë e tij, Mehdi Manollari, i cili prej vitit 2013 ndodhet në Siri si pjesëtar i organizatës terroriste ISIS.

Sipas vendimit të shpallur nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Erjon Bani dhe Elsa Ulliri, Manollari është shpallur fajtor për veprën penale të “Kryerjes së shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”.

Dënimi do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme dhe do të fillojë të ekzekutohet nga momenti kur ky vendim të marrë formë të prerë.

Muhamet Manollari la gjurmë pesë vjet pas largimit të të atit,  përmes trukeve financiare kur ditën e 19 nëntorit 2018, transferoi 864 euro drejt një shtetasi sirian.

Ky i fundit konsiderohet nga SPAK si ndërmjetësi që do t’ia kalonte paratë Mehdi Manollarit, i cili iu bashkua organizatës terroriste dhe besohet se është vrarë në Siri në vitin 2019 dhe paratë thotë SPAK nuk mund t’i dërgoheshin direkt atij sa kohë gjendej në listën e personave me lidhje terroriste.

Për të realizuar transfertën i biri nuk ka përdorur të dhënat dhe emrin e tij, por përmes një karte identiteti  të një shtetaseje.

Kjo e fundit e kishte raportuar të humbur dokumentin në polici pak përpara se të dërgoheshin eurot.  Dërgesa u transferua përmes një institucioni që kryen shërbime financiare.

Më herët për rekrutimin e gati 120 shtetasve shqiptarë në Siri në të ashtuquajturin gjyqi i xhihadistëve, gjykata dënoi nëntë persona me 109 vite burg në total.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë