Drejtësia

GJKKO dënon 8 persona për kontrabandë mallrash luksoze, nga 5 vite e 7 muaj burg për ish-shoferin e Ardi Veliut dhe gruan e tij

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar 8 persona si pjesë e një grupi kriminal të akuzuar për vjedhje dhe kontrabandë të mallrave të shtrenjta nga Franca në Shqipëri.

Mes tyre është edhe Sokol Idrizaj, shoferi i Ardi Veliut në kohën kur ishte kreu i Policisë së Shtetit, i cili u dënua me 8 vite burg, por me gjykim të shkurtuar do të vuajë 5 vite e 7 muaj burg.

Të njëjtin dënim, GJKKO dha edhe për gruan e Idrizajt, Elda Idrizaj, e cila do të vuajë 5 vite e 7 muaj burg me gjykim të shkurtuar. Ndërkohë, dy vajzat e çiftit Idrizaj, të akuzuara si bashkëpunëtore, janë liruar.

Tetë të pandehurit janë shpallur fajtorë për kontrabandë mallrash, mosdeklarim të ardhurash, pastrim parash dhe ushtrim pa licencë të aktiviteteve financiare. Një person i 9-të është shpallur i pafajshëm.

Këta persona dyshohet se kanë sjellë në Shqipëri bizhuteri luksoze, që dyshohet se janë vjedhur në Francë dhe shitur në vendin tonë.

Kështu, Gjykata e Posaçme ka vendosur dënimin e Agustin Mesulit me 11 vite burg, që me gjykim të shkurtuar është dënuar përfundimisht me 7 vite e 5 muaj burg.

Altin Doda është dënuar me 11 vite burg, e konvertuar në gjykim të shkurtuar përfundimisht me 7 vite e 5 muaj burgim; Sokol Idrizaj 8 vite burg, me gjykim të shkurtuar i dënuar me 5 vite e 7 muaj; Elda Idrizaj e dënuar 8 vite burg, me gjykim të shkurtuar përfundimisht 5.7 vite burgim; Florian Baku 11 vite burg, me gjykim të shkurtuar 7 vite e 5 muaj; Egi Idrizaj me 7 vite burg, me gjykim të shkurtuar 4 vite e 7 muaj. Për shkak të fëmijës së mitur, dënimi me burg për Egi Idrizajn është pezulluar.

Bora Idrizaj është dënuar 2 vite burgim, që i është konvertuar në shërbim prove. Vangjush K. është shpallur i pafajshëm nga akuza e fshehjes së të ardhurave dhe Tomor Barutit i është konvertuar në shërbim prove dënimi me 2 vite.

Ky grup u akuzua dhe dënua sepse transportuar sende të vjedhura dhe me vlerë të çmuar nga shteti francez drejt Shqipërisë, ku janë shitur në mënyrë të fshehtë dhe kontrabandë përmes një argjendarie në Tiranë, si dhe nëpërmjet faqeve online.

Verifikimet e SPAK treguan se këto grupe që funksiononin që para vitit 2019, kanë kaluar drejt Francës 724,386 euro për blerje të sendeve, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, ndërsa shumat në kesh të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme, kapin vlerën e 2.1 milionë eurove dhe 35.000 franga.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë