Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Kushtetuese ka zbardhur këtë të martë vendimin e plotë për lënien në fuqi të vendimit të GJKKO-së, për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zv.kryeministre dhe ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë.
Në vendimin prej 42 faqesh, jepen argumentet e trupës gjykuese mbi vendimin e marrë më 6 shkurt, që shkaktoi debate të mëdha për shkak se trupa e lartpërmendur u nda në dy grupe.
Kryeministri pretendonte se Balluku s’mund të pezullohej nga detyra, pasi Ministri gëzon të njëjtat të drejta si deputeti dhe ligji ndalon masën e pezullimit për te zgjedhurit dhe se Gjykata përmes vendimit kishte ndërhyrë në kompetencat e ekzekutivit.
Gjyqtarët e Kushtetueses Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi kanë deklaruar se kërkesa e kryeministrit Edi Rama për zgjidhjen e një mosmarrëveshje kompetencash midis Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së ishte haptazi e pabazuar.
Ata theksojnë se nuk ekziston ndonjë konflikt real kompetencash midis pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor pasi masa e pezullimit nga detyra nuk cenonte funksionet kushtetuese të Kryeministrit ose Këshillit të Ministrave.
Duke u ndalur te reforma kushtetuese e vitit 2012 për imunitetin, gjyqtarët Kushtetues arsyetojnë se imuniteti nuk është privilegj personal i ministrit dhe s’mund të përdoret si mburojë për ndjekjen penale.
Pezullimi nga detyra i një ministri nuk prek kompetencat e pushtetit ekzekutiv, por ndalon përkohësisht ministrin të ushtrojë detyrë, me qëllim garantimin e procesit penal.
Gjyqtarët sqarojnë se pezullimi është masë ndaluese e përkohshme, pjesë e kompetencës së ndjekes penale dhe gjykimit dhe nuk mund të barazohet me shkarkimin nga detyra apo pezullimin administrativ të ministrit.
Gjithashtu, gjyqtarët nënvizojnë se regjimi i imunitetit të ministrit nuk i jep mbrojtje të veçantë ndaj masave ndaluese të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale për personat që nuk janë të zgjedhur drejpërdrejtë nga populli, siç është rasti i Ballukut.
Për këtë arsye, ata gjykojnë se çështja nuk duhej kaluar për gjykim nga Kushtetuesja në fazën e shqyrtimit paraprak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje