Gazeta Si – Polemika të mëdha në Itali për një penallti të padhënë në favor të Bolonjës në ndeshjen me Juventusin, që përfundoi në barazim, 1-1. Një penallti, që mund t’i jepte fitoren Bolonjës, drejtuesit e së cilës kanë reaguar me nervozizëm.
Administratori i deleguar i klubit kuqeblu, Fenuçi, ka reaguar fuqishëm pas ndeshjes, duke drejtuar gishtin tek arbitri për episodin e ndërhyrjes në zonë të Iling ndaj Ndoje. Ishte minuta e 71-të dhe Bolonja mund të shënonte, kurse Juventusi mund të mbetej me një lojtar më pak.

“Këto episode janë aluçinante, raportet mes VAR-it dhe fushës duhen përmirësuar, – ka thënë Fenuçi, administratori i Bolonjës. – Është një gabim arbitrar flagrant, na ka hequr fitoren, që do të ishte e sigurt në atë pikë, sepse ishte penallti dhe karton i kuq për lojtarin e Juventusit”.
Asnjë koment nga trajneri i Bolonjës, Tiago Mota, pas ndeshjes. Ai u ndëshkua gjatë ndeshjes për protesta për episodin në fjalë, por pas ndeshjes nuk preferoi të fliste. Pritet që arbitri ndeshjes, Di Belo, të marrë dënim për vendimin që solli aq shumë protesta dhe polemika.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




