Politike

Gjinushi “dorëzon” partinë, koopton një kryetar për PSD-në

Delegim i kompetencave të kryetarit të partisë. Kjo është zgjidhja që kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi ka gjetur për të shmangur përplasjen ligjore të krijuar me zgjedhjen e tij si kryetar i Akademisë së Shkencave. Neni 6 i ligjit të “Akademisë së Shkencave” sanksiononte mospërputhshmëri mes pozicioneve në Akademi dhe funksioneve drejtuese në parti politike apo organe kushtetuese. Pikërisht ky sanksionim vlen për të gjithë anëtarët dhe deri te kupola drejtuese e Akademisë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendimin për të ndryshuar emrin e kryetarit të Partisë Socialdemokrate, pas depozitimit të kërkesës së bërë për të caktuar Engjëll Bejtajn si drejtues i socialdemokratëve.
Për shqyrtimin e kërkesës për zëvendësimin e emrit të Kryetarit të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë z. Skënder Gjinushi, si dokument u paraqit edhe një vendim i Gjykatës, i cili vërteton se tashmë partia i ka kaluar Engjëll Bejtjat.
“KQZ vendosi zëvendësimin e emrit të Kryetarit të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, z. Skënder Gjinushi me emrin e personit të kooptuar, z. Engjell Bejtaj”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ky institucion. Ndërsa fleta e votimit për subjektet ka ndryshuar, duke bërë që te Partia Socialdemokrate të mos figurojë emri i Gjinushit si kryetar, por i Bejtjes.
Bejtaj më parë ka qenë deputet i kësaj partie i zgjedhur në qarkun e Fierit. Përpara zgjedhjeve parlamentare u përfol që PSD do t’i kalonte Tom Doshit, pasi ai u përzgjodh si kandidat për deputet i kësaj partie në qarkun e Shkodrës.
Pas vendimit të KQZ-së, të marrë një ditë më parë, sot kryetari i Akademisë së Shkencave ka dalë në një deklaratë për median ku theksuar se ka qenë i zhveshur nga kostumi politik që përpara se të zgjidhej në krye të Akademisë, por që zyrtarisht nga dje “de jure” nuk e drejton PSD-në.
“Prej 18 majit unë nuk ushtroj më funksionin e kryetarit të PSD. Më 24 maj jam zgjedhur nga asambleja e nderuar e Akademisë së Shkencave si kryetar i Akademisë Shkencave çka ende nuk është bërë efektive. Kështu që ndryshe nga ç’rendin prej kohësh të thonë nuk kryej as funksionin e kryetarit të PSD e as kryetarit të ASH. Veprimet e mësipërme janë çuar për regjistrim në gjykatë dhe në KQZ. Dje gjykata pranoi dorëheqjen dhe zëvendësimin. Gjykata nuk bën pranim a mospranim, por reflekton dhe KQZ ka ndërmarrë veprimet përkatëse. Kështu që nga dje nuk figuroj as formalisht as në aktet e gjykatës as KQZ. Ata që ngatërrojnë se datëlindja është ditë që fëmija merr frymë për herë të parë i pavarur dhe jo dita e regjistrimit në gjendje civile”, deklaroi Gjinushi.
Pavarësisht se është votuar si kryetar i Akademisë, Gjinushi për të ushtruar këtë detyrë duhet të marrë pëlqimin e presidentit Ilir Meta. Sipas ligjit, kryetari i Akademisë së Shkencave dekretohet nga presidenti. Të gjitha këto lëvizje shihen si një përpjekje e Gjinushit për t’i provuar kreut të shtetit se ai është i zhveshur politikisht dhe se nuk përbën ndonjë shkelje ligjore dekretimi në krye të Akademisë.

Fleta e Votimit e ndryshuar ku kryetar i PSD figuron Engjëll Bejtja

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë