“E kam lënë në dorën e tij rikthimin në fushë”, – tha pak ditë më parë trajneri i Atalantës, Gasperini, në lidhje me mbrojtësin e Kombëtares sonë, Berat Gjimshiti. Por ai nuk priti shumë dhe e hodhi në fushë shtatlartin kuqezi në pjesën e dytë të sfidës me Mançester Junajtid, që përfundoi në barazim, 2-2.
Gjimshiti ka thyer kështu parashikimet për rikthimin nga ai dëmtim që pësoi në ndeshjen ndaj Hungarisë, ku theu dorën dhe u detyruar të kryente një ndërhyrje kirurgjikale. Paraqitja e mbrojtësit të Kombëtares ishte mjaft e mirë, sikur të mos kishte qëndruar asnjë ditë jashtë fushave të blerta. Gjimshiti është vlerësuar nga shtypi italian për mënyrën si luajti në ato 45 minuta.

Ky është një lajm shumë i mirë për trajnerin Edi Reja, i cili do të ketë të gatshëm ndaj Anglisë një nga kolonat e mbrojtjes. Gjimshiti po e bën “nxemjen” me Atalantën dhe me Kombëtaren ka mundësi të mëdha të luajë nga minuta e parë në transfertën e Anglisë. Për këtë ndeshje, që luhet më 12 nëntor, është në dyshim sulmuesi Armando Broja për shkak të një dëmtimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




