Futboll

Gjimshiti & Sylvinho – ‘Në futboll mund të ndodhë gjithçka’

Kapiteni Berat Gjimshiti kthehet për të parën herë përpara medias pas mungesës në fushatën për edicionin e fundit të UEFA Nations League ku mungoi për shkak dëmtimi. Në “Wembley” përkrah trainerit Sylvinho ai iu përgjigj interesimit të shtypit për sfidën e nesërme. Kapiteni vlerësoi atmosferën e kuqezinjve dhe tha se nën drejtimin e brazilianit, stërvitjet kanë qënë me ngarkesë të plotë edhe pse ditët në dispozicion janë pak për një sfidë si ajo në “Wembley”. Për Gjimshitin – “Shqipëria ka sjellë elementë të rinj që rrisin konkurencën dhe e përmirësojnë skuadrën.

Ai pranon se kuqezinjtë janë një ekip më i vogël por kanë të njëjtin objektiv si anglezët dhe nëse jep maksimumin në fushë, llogaritë bëhen në fund. Askush nuk e mendonte që ne do të shkonim dy herë në finalet e një evropiani” – tha mbrojtësi i Atalanta-s në Serie A. I pyetur për Harry Kane, qendërmbrojtësi ynë shpjegon se nuk bëhet fjalë për individë por për skuadra dhe kuqezinjtë do të bëjnë gjithçka si një e tillë. Më tej ai vazhdon – “Nuk besoj që Anglia do të na nënvlerësojë pasi ajo e di që kemi bërë gjëra pozitive në fushë dhe në futboll asnjëherë nuk i dihet. Nga ‘Euro 2024’ kemi marrë eksperiencën dhe e dimë se përqëndrimi duhet të jetë 100% deri në fund të ndeshjes.

Për kualifikimin është herët të flasim pasi mendoj se duhen të paktën 4 ndeshje për të kuptuar tendencën” – përfundoi Berat Gjimshiti. Ndërsa traineri Sylvinho pranoi problemet në mbrojtje por tha se ka kohë deri nesër paradite për të vlerësuar gjëndjen e lojtarëve ku përmendi Ajetin dhe Mihajn si alternativa. Përmendi lodhjen fizike të lojtarëve për shkak të sezonit të gjatë por nuk fshihet pas gishtit dhe thotë se formacionin do ta përcaktojë vetëm pas stërvitjes së fundit. Tregon se e ka studiuar kolegun Tuchel dhe futbollin që ai aplikon.

Për Sylvinho-n nuk ka rëndësi skema por lojtarët që e zbatojnë atë. “Shqipëria do të provojë diçka speciale në sulm ndërsa kemi punuar edhe në aspektin mbrojtës. Sa i përket kualifikimit duhet të punojmë të gjithë bashkë, të vëmë shpirtin në fushë pasi ka vetëm një rrugë, të luftojmë për çdo pikë. Çdo metër në fushë është i rëndësishëm dhe ne kemi lojtarë të mirë, nga aspekti fizik dhe me përvojë. Duhet të luftojmë të gjithë bashkë që të ecim përpara”. Në fund dy fjalë për Anglinë – “Një skuadër me paraqitje të mira por jo në ndeshjet Finale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë