Gazeta Si – Atalanta arriti të fitonte në fushën e Veronës me një gol të shënuar nga Kopmeiners, por mbi të gjitha sepse kishte një mbrojtje të pakalueshme. Dhe lideri i kësaj mbrojtjeje të pathyeshme, sipas shtypit sportiv italian, është Berat Gjimshiti.
Lojtari i Kombëtares shqiptare luajti 90 minuta dhe mori vlerësimin më të lartë, bashkë me autorin e golit. Të dy u vlerësuan me notën 7 nga ‘Gazzetta dello Sport’, që më së shumti ka evidentuar paraqitjen e Gjimshitit në qendër të prapavijës. Kapiteni i kuqezinjve në ndeshjet e fundit bëri diferencën me shokët e repartit, Kolashinac dhe Polomino.

Loja e Berat Gjimshitit në fakt ka qenë në rritje të vazhdueshme. Ai është në momentin më të mirë aktualisht me Atalantën, që mban vendin e 4-t në Serinë A. Trajneri Gasperini e sposton në të tre pozicionet e mbrojtjes, por duket se në qendër 30-vjeçari ka rendimentin më të lartë.
Nga mbrojtësit e Kombëtares pa dyshim është lojtari më në formë. Ndaj Çekisë dhe Polonisë trajneri Silvinjo i besoi shiritin e kapitenit dhe Gjimshiti tregoi personalitetin e tij në fushë. Trajneri brazilian ka parë aftësitë e liderit te mbrojtësi, që shpresojmë të jetë në këtë formë edhe më 12 tetor ndaj Çekisë në ‘Air Albania’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.