Futboll

Gjimshiti në versionin gjigant ndaj Juventusit, Berisha më i miri tek Empoli

Gazeta Si – Berat Gjimshiti tregon nivelin e tij të lartë ndaj Juventusit. Atalanta e tij barazoi pa gola në Bergamo ndaj ekipit të Alegrit, ndërsa mbrojtësi kuqezi, kapiten në ndeshjen e fundit të Kombëtares, ishte mes më të mirëve në fushë.

Shtypi sportiv italian e ka vlerësuar me notën 6.5 lojën e Gjimshitit në këtë ndeshje, duke evidentuar paraqitjen solide të shtatlartit, si dhe rrezikshmërinë e tij në goditjet nga këndi të Atalantës.

Gjimshiti ndaj Juventusit. Gazeta Si, 1 tetor 2023

Pas këtij barazimi, Juventusi mbetet 4 pikë nga kreu i renditjes së Serisë A (14 pikë ndaj 18 të Interit dhe Milanit). Bardhezinjtë mbajnë vendin e 4-t, kurse Atalanta të 5-tin me vetëm një pikë më pak.

Empoli i shqiptarëve u mund 3-0 në fushën e Bolonjës. Titullar luajti vetëm portieri Etrit Berisha, sulmuesi Stiven Shpendi u aktivizua si zëvendësues në minutat e fundit, kurse mbrojtësi Ardian Ismajli qëndroi në stol, pasi vjen nga dëmtimi. Berisha bëri disa pritje shpëtuese në këtë ndeshje, duke marrë vlerësime nga shtypi italian.

Berisha peson nje gol ne Bolonja. Gazeta Si, 1 tetor 2023

“Berisha 7: në pjesën e parë mban në lojë Empolin me dy pritje të mëdha ndaj Ndoje dhe Zirkzi. Reaktiv edhe në pjesën e dytë ndaj Ferguson. Në rastet e golave të Orsolinit nuk mund të bënte asgjë”. Ky është përshkrimi i paraqitjes së portierit kuqezi në ndeshjen ndaj Bolonjës. Edhe pse pësoi 3 gola, ai ka marrë notën më të lartë për skuadrën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë