Berat Gjimshiti duhej të kishte ikur nga Atalanta në verë, për të luajtur sërish si i huazuar me ndonjë skuadër tjetër, apo edhe të shitej. Por nuk pati asnjë ofertë serioze dhe Atalanta e mbajti mbrojtësin kuqezi.
Futbollisti 25-vjeçar, i ftuar në një televizon lokal në Bergamo, ka folur për mënyrën si shkuan punët, që ai qëndroi tek Atalanta: “Tek Atalanta nuk më ka thënë askush që të ikja. Duke parë hapësirat e pakta, mendova se ishte më mirë të shkoja diku tjetër që të luaja më shumë. Ishte e rëndësishme të luaja dhe u huazova fillimisht tek Avelino, ku mbijetuam, pavarësisht problemeve. Më pas kalova te Benevento në Serinë A. Këtë verë jam përgatitur veç me një përgatitës atletik, ndërkohë që Atalanta e kishte filluar fazën përgatitore. Po prisja të mësoja çfarë do të ndodhte dhe më telefonuan për të shkuar në grumbullim. U çudita, por bëra menjëherë gati çantën dhe u nisa”.

Mbrojtësi kuqezi ka treguar më pas edhe detaje të jetës së tij: “Jam në gjendje të flas gjashtë gjuhë, por njërën prej tyre jo aq mirë. Në shkollë kam mësuar frëngjisht dhe anglisht, por unë jam nga Zyrihu, ku flitet gjermanisht. Në Itali kam bërë një muaj shkollë për të mësuar gjuhën, pastaj është gjuha shqipe. Te Shqipëria flasin të gjithë italisht dhe merren vesh me stafin italian. Tani është Panuçi, më parë ishin De Biazi dhe Tramexani. Kam tre nënshtetësi, zvicerane, shqiptare dhe serbe. Familjarët e mi kanë lindur në Preshevë, një vend në Serbi që ka vetëm shqiptarë. Kemi pasaporta serbe, por jemi shqiptarë. Kur ika nga ekipet e moshave të Zvicrës te Shqipëria, zviceranët u mërzitën shumë. Në Zvicër investojnë për moshat, pasi aty ka kandidatë për të shkuar në ekipin A dhe unë isha tek ai grup. Zgjedhja ime për të luajtur me Shqipërinë nuk u prit mirë nga ata”, – tha mes të tjerash Gjimshiti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




