Berat Gjimshiti dhe Klaus Gjasula janë dy lojtarët e parë të Kombëtares që kanë folur para ndeshjes me Poloninë, që luhet më 2 shtator në Varshavë. Kuqezinjtë janë grumbulluar që dje në kryeqytetin polak, por grupi është plotësuar sot, ndërkohë që lajmi i mirë është “ok”-i i FIFA-s për aktivizimin e Bajramit.

Gjimshiti, një nga tre titullarët e mbrojtjes kuqezi, mes të tjerash theksoi se skuadra duhet të luajë pa frikë dhe me besim në vetvete: “Me Shqipërinë kemi bërë hapa përpara. Këto tri ndeshje janë shumë të rëndësishme për ne dhe do të japim maksimumin që të marrim sa më shumë pikë. Mundësi për rezultat pozitiv në Poloni? Sigurisht që po. Duhet të kemi respekt, pasi Polonia ka një skuadër shumë të mirë, me lojtarë që luajnë në klubet më të mira në botë, por duhet të shikojmë veten. Do të japim maksimumin për të fituar ndeshjen.
Levandovski? – Po të shikosh Bajernin, mund të shikosh edhe një Levandovski në super formë, është sulmuesi më i mirë në këtë moment. Do jetë një duel shumë i bukur. Nëse frikësohesh, do të thotë se je gabim në këtë punë. Të gjithë lojtarët kanë marrë eksperiencë dhe kur të luash kundër një kundërshtari të këtij niveli, besoj që rrit edhe personalitetin dhe vetëbesimin.
Çdo fitore të jep motivim më të madh. Për tifozët jam shumë i lumtur që do të kthehen, sepse na kanë munguar. E shoh edhe në Serinë A se është më bukur të luash me tifozë”.
Gjasula: Polonia e rëndësishme, ta mbajmë grupin hapur
Klaus Gjasula kthehet në mesfushën kuqezi. Në konferencë shtypi ai është shprehur se të tria ndeshjet e shtatorit kanë rëndësi të veçantë për Kombëtaren.

“Ndihem gjithmonë gati për të luajtur me Kombëtaren. Për mua është e rëndësishme tani të kem minuta në fushë, prandaj dhe kalova te një klub pak më i vogël, për të luajtur dhe për të qenë gati për Kombëtaren. Në ndeshjet e fundit kemi treguar që fryma është shumë e mirë, po rritemi bashkë dhe më e rëndësishme është që të fitojmë.
Përzierja e lojtarëve me eksperiencë dhe lojtarëve të rinj është shumë e mirë, harmonia po ashtu dhe më bëhet qejfi që jam këtu. Kemi mesfushorë të mire, besoj se secili ka cilësitë e veta. Si ekip, nuk kam dëgjuar që në mesfushë, mbrojtje apo sulm jemi dobët. Jemi të gjithë si ekip për atë punë aty, që të forcohemi bashkë dhe do të provojmë më të mirën dhe do të japim maksimumin.
Polonia është një ekip me shumë eksperiencë dhe cilësi. Pa diskutim, edhe Gjimshiti e tha që kanë lojtarë që luajnë në ekipet më të mira në botë. Edhe pse nuk luajtën mirë në Europian, kanë cilësitë e tyre dhe e dimë që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Do të kemi respekt përballë kundërshtarit, por frikë asnjëherë. Po të japim maksimumin dhe secili të tregojë cilësitë e tij, se i kemi të gjitha mundësitë për pikë.
Tifozët? Çdo futbollist gëzohet shumë dhe është i lumtur se do të vijnë tifozët në stadium, sepse kështu e kemi mësuar futbollin, që të vegjël. Futbolli pa tifozë nuk është njësoj, mungojnë emocionet dhe besoj edhe për ne është shumë e rëndësishme të vijnë tifozët. Tani kemi deshjen me Poloninë, është e rëndësishme të bëjmë një paraqitje të mire, ta lëmë grupin hapur për ndeshjet në fund”, – tha Gjasula.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




