Nga Gazeta ‘SI’- Kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria reagoi pas humbjes në përballjen që pati me kandidatin socialist, Vangjel Tavo.
Përmes një shkrimi në “Facebook”, Gjikuria akuzon palën socialiste se e siguroi fitoren duke tjetërsuar listën e zgjedhësve.
Sipas tij, qëllimi i Partisë Socialiste ishte që në fund në krye të Bashkisë së Himarës të vendoset dikush që do të zbatojë urdhrat e pushtetit.
“Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himariotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë.
Në këto zgjedhje pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre. Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin. Qëllimi ishte patja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij.
Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë fushatë elektorale për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon”, u shpreh Petro Gjikuria.
Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet në Himarë me një diferencë prej 1477 votash nga Petro Gjikuria, që siguroi vetëm 3545 vota.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




