Kandidati i vetëshpallur i opozitës Petro Gjikuria përcolli një deklaratë zyrtare përmes faqes së tij në Facebook të enjten e 11 korrikut. Paralelisht PBDNJ-ja dhe OMONIA shpërndanë njoftimin se Gjikuria do përfaqësonte më së miri garën përballë Vangjel Tavos.
Disa orë më pas, ende pa filluar protesta ia beh një njoftim. Edhe ai ‘zyrtar’ përmes Facebook.
Afrovita Dhimojani, kryetarja e degës së PD-së në Himarë, në një reagim në rrjetet sociale, nënvizonte se si drejtuese e PD e asaj dege, u informua nga mediat për emrin e Gjikurisë.
Sipas saj, dega e PD-së nuk ishte konsultuar, duke u vendosur para faktit publik.
Teksa Dhimojani nxirrte në pah pazaret e nëndheshme, Vangjel Dule në anën tjetër ishte në Tiranë tok me aleatët e opozitës në protestën e thirrur nga PD-ja.
Dule qëndroi përkrah Ndokës duke u bashkuar më pas me Fatmir Mediun.
Partia Demokratike nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar për emrin e Gjikurisë.
Por dalja e Dules në protestën e thirrur nga PD-ja tregoi se Gjikuria as më shumë e as më pak ishte emër i ‘qarkut’ të shkurtër politik në qendër.
Afrovita Dhimojani dhe djali i Fredi Belerit, Petros Beleri ishin përfolur si kandidatë të mundshëm për garën e 4 gushtit.
Por se çfarë do të bëjë dega e PD-së Himarë, këtë pritet ta shohim në vijim. Ndoshta sërish përmes një njoftimi në Facebook…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.