Nga Gazeta ‘Si’- Ka nisur punën Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Në fjalën e tij, socialisti Damian Gjiknuri (bashkëkryetar i komisionit) tha se dy çështje kanë qenë me rëndësi për t’u zgjidhur, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës dhe hartimi i listave të kandidatëve.
“Adresimi i rekomadimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet”, u shpreh se është esenca e këtij komisioni.
Ai deklaroi se puna do të nisë me ngritjen e një grupi ekspertësh, të mbështetur nga Kuvendi.
“Të hartojnë drafte ligjore që do të adresojnë rekomandimet e ODIHR-it. Do t’i drejtohemi ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias për vënien në dispozicion të ekspertizës. Më e ndershme është të niset me ato probleme të patrajtuara e që nuk kanë ngarkesë politike, siç ka qenë ligji për financimin e partive politike, jashtë fushatave zgjedhore.
Së fundmi, do doja të theksoja se e kuptoj që edhe sot do të ketë debat në këtë komision, ju mund ta shfrytëzoni këtë platformë edhe për të dhënë idetë tuaja politike, por edhe pakënaqësitë tuaja, por na intereson të dalim me një produkt. Edhe kur opozita protestonte, ne kemi arritur të vijmë me një paketë të plotë ligjore”, tha Gjiknuri.
Sipas tij, shqetësimeve të opozitës, mazhoranca u ka dhënë rrugë.
Ndërsa për kolegun e tij demokrat, Oerd Bylykbashi “nevojitet reformë zgjedhore pas çdo palë zgjedhjesh”, duke shtuar se “për fat të keq shihet një përkeqësim në raportet e OSBE/ODIHR-it”.
“Tentativa e fundit për reformë ishte ajo e vitit 2020 që preku Kodin Zgjedhor e në fund fare u përmbys me një ndryshim të njëanshëm në Kushtetutë. Reforma e fundit konsensuale ishte ajo e vitit 2012 e që atëherë nuk ka patur më. Keqqeverisja dhe krimi i organizuar në formë masive, ky komision duhet të ketë një qasje të pakufizuar dhe duke hyrë thellë në të gjitha tematikat”, deklaroi Bylykbashi.

Demokrati Ivi Kaso theksoi në fjalën e tij se “ky komision nuk duhet të jetë si një fasadë për ta paraqitur te partnerët si shembull bashkëpunimi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



