Politike

Gjiknuri: Pas vendimit të Kushtetueses, herësi është zeruar dhe listat janë hapur

Në komisionin e reformës zgjedhore të zhvilluar online, si pasojë e bllokimit fizik nga grupi ‘Bardhi-Berisha’, bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri, tha se pasojat e vendimit të Kushtetueses janë të qarta, se herësi është zeruar dhe listat janë hapur 100%, duke iu referuar një interpretimi, që më herët kishin bërë shoqatat e ftuara në mbledhje, që merren me zgjedhjet.

“Listat sipas mendimit tuaj janë hapur dhe ashtu mendoj edhe unë me ju edhe shfuqizimi i herësit 0 me cfarëdo që ta shumëzojmë edhe KQZ po të jetë në vështirësi 0 me cdo lloj shumëzimi tjetër mbetet 0”, tha Gjiknuri.

Kushtetuesja më herët ka argumentuar se herësi ishte një mekanizëm disproporcional në raport me qëllimin e tij. Me pak fjalë, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin që i shpërndante mandatet e deputetëve sipas herësit.

Me shfuqizimin e këtij neni nga Kodi Zgjedhor, në të ardhmen, deputeti që fiton numër më të madh votash futet në parlament pavarësisht renditjes. Që do të thotë se  lista bëhet tërësisht e hapur. Megjithatë, për të shkuar deri aty duhen korrigjime në ligj.

Gjiknuri tha gjithashtu gjate mbledhjes se qeveria nuk e ka detyrim të mundësojë votën e diasporës.

Sipas tij, këtë duhet ta bëjë KQZ

“Nuk është e detyrueshme për shtetet të garantojnë votën në distancë të shtetasve që jetojnë jashtë vendit. Për mendimin tim Gjykata Kushtetuese ka thënë që i vetmi boshllëk nëse do të quhet boshllëk, KQZ nuk ka pasur asnjë pengesë të nxirrte aktet nënligjore”, tha Gjiknuri

Enkelejd Alibeaj, në anën tjetër tha se për të bërë të mundur votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë duhet ndërhyrje në ligj.

Gjiknuri mendon që fillimisht duhet të provohet regjistrimi i adresave të emigrantëve dhe nëse nuk funksionon të merren parasysh edhe propozimet e tjera, siç është modeli i Kosovës.

Për depolitizimin e administratës zgjedhore u propozuan dy modele, ai zviceran dhe ai grek. Pavarësisht se puna nisi, shoqëria civile u tregua pesimiste mbi formatin e komisionit të reformës zgjedhore, si për përbërjen, ashtu edhe për produktin final.

Në mbledhjen e radhës do të dëgjohen përfaqësuesit e partive jo parlamentare, si dhe institucionet, përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë