Politike

Gjiknuri: Në komisionin për Reformën Zgjedhore do të përfaqësohen edhe partitë e vogla

Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti Damian Gjiknuri bëri me dije se është rënë dakord që në këtë komision të ketë përfaqësi edhe nga partitë e vogla.

“Jemi përpara faktit që shumë shpejt do të fillojmë një Reformë të re Zgjedhore dhe jam i bindur që në ditët në vijim Kuvendi do të miratojë një komision të përbashkët në traditën e asaj që kemi pasur, me konsensus, me bashkëkryesim dhe një dëshirë për të gjetur darkodësi për shumë problemi.

Së fundmi kemi rënë dakord edhe në lidhje me ato vërejtje që u ngritën në lidhje me përfaqësimin në reformën zgjedhore ku shumica dhe opozita do të ketë një përfaqësim të barabartë. Do të ketë përfaqësi edhe nga partitë e vogla që janë pjesë e kuvendit, por që nuk janë pjesë e grupeve parlamentare, por duke ruajtur një balancë për të ruajtur ekuilibrin shumicë- pakicë”, tha Gjiknuri.

Ai theksoi se janë një sërë çështjesh të rekomanduara nga OSBE-ODIHR që pritet të adresojë komisioni për Reformën Zgjedhore, ku ndër to përmendi edhe financimet për partitë gjatë fushatave zgjedhore.

Faktin që Shqipëria i drejtohet pas çdo palë zgjedhjeve Komisionit të Venecias, ai e shikon edhe si problematik.

“Fakti që ne pas çdo palë zgjedhje kryejmë reformë zgjedhore, apo pas shumë çështjesh i drejtohemi tregojmë se si pacientë nuk vetëshërohemi, por kërkojmë gjithnjë një mjek”, tha Gjiknuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë