Mode

Gjiganti italian i modës, Prada, blen Versace…me zbritje

Prada njoftoi të martën se ka blerë Versace, duke bashkuar dy nga shtëpitë më të mëdha italiane të modës së luksit nën një çati të vetme.

Marrëveshja prej 1.38 miliardë dollarësh është dukshëm më e ulët se rreth 2 miliardë dollarë që kompania mëmë e mëparshme e Versace-s, Capri Holdings, pagoi për markën në vitin 2018.

Blerja zgjeron portofolin e markave të dizajnit të Prada-s, përfshirë Miu Miu, ndërsa ajo synon të konkurrojë me rivalët, si konglomerati francez LVMH, i cili zotëron Dior dhe Fendi përveç Louis Vuitton-it.

Dizajnerja ikonike Donatella Versace u largua nga detyra si drejtuese kreative në mars, pas 27 vjetësh në kompaninë e modës, të njohur për stilin e saj glamur dhe logon ikonike të kokës së Meduzës.

Ajo mori drejtimin e kompanisë në vitin 1997, pas vrasjes së vëllait të saj, Gianni Versace. Ajo u zëvendësua nga Dario Vitale, më parë drejtor dizajni në Miu Miu.

Kompania po shitet me një humbje prej rreth 700 milionë dollarësh, pasi shitjet e Versace-s u ngadalësuan, njësoj si dhe shitjet e markave të tjera të Capri Holdings, përfshirë Michael Kors dhe Jimmy Choo.

Gjatë pronësisë së Capri Holdings, Versace u largua nga dizajnet e saj të njohura të stiluara dhe të zbukuruara, duke kaluar drejt një trendi më minimalist – ndërkohë që rriti çmimet.

Prada tha në një deklaratë të shkurtër të martën se ka finalizuar me sukses blerjen e Versace-s, pasi ka marrë të gjitha miratimet rregullatore të nevojshme.

Të ardhurat nga shitja do të ndihmojnë në uljen e borxhit të Capri Holdings, ish-pronarit të Versace-s, tha kompania.

Drejtori ekzekutiv i Capri, John D. Idol, tha:
“Ne planifikojmë të përdorim të ardhurat për të shlyer shumicën e borxhit tonë, gjë që do të forcojë ndjeshëm bilancin tonë financiar.”

Andrea Guerra, drejtori ekzekutiv i Prada-s, tha më herët këtë vit se Versace ka “potencial të jashtëzakonshëm”.

“Udhëtimi do të jetë i gjatë dhe do të kërkojë disiplinë, ekzekutim të kujdesshëm dhe durim,” shtoi ai./ BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë