Futboll

Gjici zgjedh provizorisht Hallaçin, por i lë derën hapur Gegës

Pas humbjes 4-1 ndaj Partizanit, trajneri Skënder Gega ka marrë përsipër përgjegjësitë dhe i ka paraqitur dorëheqjen klubit verilindor. Lajmi është bërë i ditur nga Kukësi në faqen zyrtare, ku publikohet edhe mesazhi i Gegës.

Presidenti i nderit të Kukësit Safet Gjici shprehu keqardhje për dorëheqjen e trajnerit Skënder Gega nga stoli i verilindorëve. Megjithatë, ai nuk e mbylli përfundimisht derën Gegës duke thënë se mund ta mirëpresë në të ardhmen. Gjici shtoi se Rrahman Hallaçi do të jetë trajner i komanduar i Kukësit dhe nëse siguron rezultate pozitive mund të emërohet në stolin verilindor. “Mendoj se ishte e nxituar pak. Ne nuk jemi as në mes as në fund të renditjes. Nuk është vetëm faji i tij, por i lojtarëve. Gega mund të jetë tek Kukësi në të ardhmen, sepse ne kemi rikthyer disa trajnerë. I kishte thënë më para drejtorit dhe lojtarëve para se të më thoshte mua sepse nuk kam ato rezultate që duhen. E vlerësoj dorëheqjen. Hallaçi do të vazhdojë, por do ta shohim gjatë rrugës. Është e vështirë të gjesh trajnerë si duhet. Hallaçit i eci mirë kur s’ishte Gega. Nëse do ketë rezultate, nuk do bëjmë shumë ndryshime”.

Në tre ndeshjet që Gega nuk ishte në pankinë Kukësi mori 7 pikë, dy fitore e një barazim. Gega e mori drejtimin e Kukësit në verë, por aventura e tij është mbyllur pa u mbyllur viti 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë